Bosat e Anglisë, nga kumari te porno
Uest Hemi financohet me paratë e filmave me pullë të kuqe, shefi i Brajtonit lojtar pokeri
Bisedimet e mund shme mes njeriut të dytë që komandon Arabinë Saudite, Princit të Kurorës, Mohamad bin Salman dhe Mançester Junajtid për blerjen e klubit nga familja Glejzër, kanë rikthyer edhe njëherë temën e ekuilibrave në futbollin anglez. Pasuria e Bin Salmanit është rreth 850 miliardë paund, ndërsa një ofertë që do të merrej parasysh nga pronarët amerikanë, do të duhet të niste nga mbi 3 miliardë paund, e cila është vlera aktuale e aksioneve aktuale të familjes Glejzër. Bashkëpresidenti i "djajve", Avram Glejzër, do të jetë i pranishëm në Konferencën e Investimeve të Ardhshme dhe Sipërmarrjes, e cila do të mbahet në kryeqytetin e Arabisë Saudite, Rijad, javën e ardhshme, së bashku me bankierë dhe investitorë të rëndësishëm nga i gjithë globi. Nëse Glejzërat do të binden për ta shitur klubin, atëherë kjo do të çimentonte statusin e Junajtid si një prej superfuqive të futbollit botëror. Por, kush i drejton klubet e tjera të Premier Ligës?
ARSENAL:
STAN KROENKE, SHBA (6.5 mld £)
Stan Kroenke bleu edhe aksionet e bashkaksionarit Alisher Usmanov këtë vit, duke marrë kontrollin e plotë të Arsenalit. Ai është një manjat i pasurive të paluajtshme dhe zotëron një portofol me klube sportive, kryesisht në SHBA. Ai është pronari i Los Anxhelos Rams, Denver Naxhets, Kolorado Avalansh dhe Kolorado Repids. BORNMËTH: MAKSIM DEMIN, RUSI (100 mln £)
Pak informacion ka për pronarin rus të Bornmëthit, por ai jeton në Zvicër dhe pasi bleu një pjesë të aksioneve në vitin 2011, mori kontrollin e plotë të klubit dy vite më vonë. Ai zotëron dy kompani në Sërej, njëra prej të cilave, "Wintel Petrochemicals", i ka dhënë një hua prej 7.8 milionë sterlinash Bornmëthit. BRAJTON:
TONI BLUM, BRITANI (1 mld £) Pronari i Brajtonit e ka vënë pjesën më të madhe të pasurisë së tij në tavolinat e pokerit, duke qenë një lojtar profesionist. Ai ka investuar më shumë se 200 milionë paund në klubin e Saseks, ku gjyshi i tij ishte zv/president në vitet 1970.
BËRNLEJ
MAJK GARLIK, BRITANI (57 mln £) Skuadra e "Turf Moor" ka Majk Garlik si aksionar kryesor, por edhe Xhon Banaszkievicz si bashkëpronar. Paratë e tij vijnë nga zyra e konsulencës së tij të menaxhimit, "Michael Bailey associates".
KARDIF:
VINSENT TAN, MALAJZI (622 mln £) Pronari kontrovers i Kardifit, Vinsent Tan, e ka vendosur pasurinë e tij përmes metodave të ndryshme, nga pronat te kumari, por edhe shërbimi i telefonisë së lëvizshme në Malajzi.
ÇELSI:
ROMAN ABRAMOVIÇ
RUSI (8.8 mld £)
Blerja e Çelsit nga Roman Abramoviç në vitin 2013, e ktheu peizazhin e futbollit në Britani me kokëposhtë. Paratë e rusit vijnë nga aksionet në kompaninë e çelikut "Evraz", ndërsa ai shiti 73 për qind të kompanisë së tij të naftës "Sibneft" për 13 miliardë dollarë ( 9.9 miliardë paund) në vitin 2005. KRISTAL PALAS
STIV PERISH, BRITANI (45 mln £) Presidenti Stiv Perish shiti kompaninë "TAG Worldwide" në vitin 2011, rreth një vit pasi mori kontrollin e klubit të Palas për t'i shpëtuar nga falimenti. Xhosh Herris dhe Dejvid Blicer u bënë bashkëpronarë në 2015, pasi u pranua oferta e tyre prej 50 milionë paundësh.
EVERTON:
FARHAD MOSHIRI, IRAN (1.3 mld £) Farhad Moshiri ishte një partner biznesi i ish-bashkëpronarit të Arsenalit, Alisher Usmanov. Ai ka aksione në industrinë minerare ruse dhe kompaninë e çelikut "Metalloinvest". Mori drejtimin e klubit të "Goodison Park" në shkurt 2016.
FULHAM:
SHAHID KHAN, SHBA (5.3 mld £) Shahid Khan e vuri pasurinë e tij, duke dizenjuar parakolpe kamionësh, pasi bleu furnizuesin e pjesëve të këmbimit "Flex-N-Gate". Ai bleu Xheksonvill Xhaguars në vitin 2012 dhe Fulhamin një vit më vonë dhe aktualisht është duke negociuar për të blerë stadiumin "Wembley". HADËRSFILLD:
DIN HOJL, BRITANI (365 mln £)
Din Hojl është themeluesi i rrjetit të dyqaneve të dhuratave "The Card Factory" dhe president dhe aksionar kryesor i biznesit stacionar të shitjeve me pakicë "The Works".
LEIÇESTER: FAMILJA SRIVADHANAPRABHA,
TAJLANDË (3.7 mld £) Vikai Srivadhanaprabha zotërojnë kompaninë "King Power", e cila është operatori lider i dyqaneve "duty free" në Tajlandë. Ai e themeloi kompaninë në vitin 1989 dhe pasi bleu "dhelprat", siguroi edhe aksionet e klubit belg, OH Leuven.
LIVERPUL:
XHON Ë HENRI, SHBA (1.9 mld £)
Xhon Henri, së bashku me Ton Verner, ndërtuan një perandori sportive përmes "Fenway Sports Group", pasi e vunë pasurinë përmes një firme tregtie. Ata zotërojnë klubin ikonë të bejsbollit, Boston Red Soks dhe Liverpulin, që e blenë në 2010. Henri bleu edhe gazetën "The Boston Globe" në 2013. MANÇESTER SITI: SHEIKU MANSUR,
EBA (17 mld £)
Pas blerjes së klubit blu të Mançesterit në vitin 2013, sheiku Mansur hodhi mbi 300 milionë sterlina për ta kthyer në ikonë botërore. Pasuria e tij individuale llogaritet të jetë rreth 17 miliardë sterlina, por thuhet se pasuria e familjes së tij i afrohet 1 trilioni paund. MANÇESTER JUNAJTID: FAMILJA GLEJZËR, SHBA (4.5 mld £) Malkolm Glejzër udhëhoqi blerjen e Mançester Junajtid në 2005, por djemtë e tij, Xhoel dhe Avram, morën drejtimin e klubit, pasi ai pësoi një hemorragji cerebrale një vit më vonë. Pasuria e tij u vu prej shitjes së pasurive të paluajtshme në SHBA. Përveç Junajtid ata zotërojnë edhe klubin e NFLsë, Tampa Bej Bëkanirs. NJUKASËLL:
MAJK ESHLI, BRITANI (2.4 mld £) Majk Eshli themeloi kompaninë e veshjeve sportive "Sports Direct" në vitin 1982, kur ishte vetëm 18 vjeç. Ai bleu Njukasëllin në 2007. SAUTHEMPTON:
GAO JISHENG, KINË (1.4 mld £) Themeluesi i "Lander Sports Development" bleu 80 për qind të aksioneve të klubit jugor në 2017 për 210 milionë sterlina. Kompania e tij ndërton stadiume në Kinë. TOTENHEM:
XHO LJUIS, BRITANI (3.8 mld £) Presidenti Daniel Levi është fytyra e klubit të Londrës Veriore, por pronari i Spërsave është miliarderi britanik, Xho Ljuis. Ai e vuri pasurinë e tij, duke shitur biznesin e babait, "Tavistock Banqueting", në 1979, përpara se t'i hynte biznesit të valutës. UOTFORD:
XHINO POCO, ITALI (120 mln £) Xhino merret me menaxhimin ditor të Uotfordit, pasi babai i tij, biznesmeni Xhampaolo, bleu klubin në qershor 2012. Poco Senior zotëron edhe klubin e Udinezes në Itali dhe kishte në pronësi edhe atë spanjoll, Granadën.
UEST HEM:
DEJVID SALIVAN DHE
DEJVID GOLD, BRITANI (1.5 mld £) Dejvid Gold zotëron kompaninë e veshjeve intime dhe lodrave të seksit "Ann Summers", ndërsa Dejvid Salivan e ka vënë pasurinë e tij përmes industrisë së pornografisë. Dyshja bleu Birmingemin në vitin 1993 dhe e shitën në 2009. Një vit më vonë, ata blenë 50 për qind të aksioneve të Uest Hemit.
UOLVES,
FOSUN INTERNATIONAL,
KINË (5.2 mld £) Kompania kineze e investimit "Fosun" bleu Uolverhemptonin në korrik 2016 dhe e rikthyen në Premier Ligë. Gui Guangçang, kreu i "Fosun", ka gjithashtu investime në kompani minerare, turizëm dhe farmaceutikë.