Zgjedhja surprizë, Dovedan: Rikthej Bylisin në elitë
Trajneri boshnjak tregon sekretin e skuadrës ballshiote
Një start jo i mirë, por me kalimin e javëve, Bylis po ia del të ngjitet në vendet e para në klasifikim. Skuadra ballshiote numëron tri fitore radhazi dhe tashmë është vetëm një pikë larg Besës së vendit të parë. Në fund të merkatos së verës, në Ballsh u afrua në rolin e trajnerit boshnjaku Veljko Dovedan. Një emër i panjohur për Shqipërinë, ndërsa në javët e para të gjithë ishin skeptikë. Por, tashmë ka nisur të ndihet dora e tij dhe skuadra po funksionon në mënyrën e duhur. Grupi po jep “frytet” e veta dhe skuadra e Bylisit, ndonëse ishte me katër mungesat e Doksanit, Muratajt, Mehmetajt e Liçkollarit në sfidën me Pogradecin, mori një fitore shumë të rëndësishme. Në një intervistë për “Panorama Sport”, trajneri tregon se pse zgjodhi Bylisin, ecurinë në javët e deritanishme dhe objektivat që ka ekipi. Një fitore e rëndësishme me Pogradecin, por humbët edhe shumë raste. Jeni i kënaqur?
Fituam dhe morëm tri pikët që janë të rëndësishme. Keni të drejtë, duhej të kishim shënuar 4-5 gola në atë ndeshje, sepse krijuam shumë raste të pastra. Futbollistët dilnin vetëm për vetëm me portierin kundërshtar dhe shpërdoruan shumë në atë sfidë. Megjithatë, kemi shumë punë për të bërë. Kampionati është i gjatë dhe çdo javë është delikate.
Çfarë ju shtyu të pranonit ofertën e Bylisit dhe a kishit njohuri për futbollin shqiptar?
Të them të drejtën, nuk kisha njohuri në lidhje me futbollin shqiptar. Oferta e presidentit të Bylisit ishte serioze dhe më bindi që ta pranoja. Një projekt serioz për ta rikthyer skuadrën në elitë ishte një arsye shumë e rëndësishme që më bindi të pranoja të ulesha në stolin e Bylisit.
Si e vlerësoni ecurinë e skuadrës deri tani?
Nuk e nisëm kampionatin mirë duke bërë hapa falas në shumë takime. Megjithatë, ia dolëm që të riktheheshim te fitoret shumë shpejt. Tani po kalojmë një moment shumë të mirë dhe futbollistët janë të angazhuar për të bërë më të mirën. Megjithatë, nuk duhet të kalojmë në eufori. Ka ende shumë ndeshje dhe kampionati është i gjatë.
Këtë javë do të luani ndaj Tomorit, çfarë prisni nga kjo sfidë?
Nuk kemi shumë kohë që të festojmë, po bëjmë detyrën, skuadra po punon mirë, natyrisht kemi pasur edhe mungesa. Por, ne na duhet që në çdo ndeshje të fitojmë për të realizuar synimet tona. Të gjitha ndeshjet ku luajmë, si në fushën tonë apo në transfertë, janë shumë të vështira. Këtë i them edhe skuadrës gjithmonë. Megjithatë, kam bindjen se ky do të jetë viti ynë dhe Bylis në fund të kampionatit do të sigurojë ngjitjen në Superiore. Erjon Saliu