Skenarët e kualifikimit, Ikardi-Mesi duan revansh
Leo s'i ka shënuar kurrë Interit, prandaj kërkon të luajë
Inter- Barcelona. Në "San Siro" (21:00) do të luhet ndeshja e katërt e fazës së grupeve të Ligës së Kampionëve. Jemi zyrtarisht në fazën kur luhet me laps në dorë, kur bëhen llogari sesi mund të kalohet në fazën e ardhshme. Në këtë aspekt është Barcelona e Mesit ajo që me 1 pikë siguron fazën e ardhshme. Leo kërkon të zbresë në fushë me objektivin për t'i shënuar Interit dhe për të thyer mallkimin ndaj zikaltërve. Skuadra e Milanos është një nga 5 ekipet e vetme që ende nuk u ka shënuar në Champions, por sot mendon se është momenti i duhur dhe për këtë fakt dëshiron të zbresë në fushë pavarësisht dëmtimit. Do të ketë në distancë një duel me bashkëkombësin e tij Mauro Ikardi. Ky i fundit kërkon revansh ndaj Barcelonës, së cilës nuk i shënoi dot në ndeshjen e parë. Do të kërkojë ta bëjë këtë herë, kundër ekipit me të cilin luajti deri te moshat dhe nuk pati kurrë mundësinë të debutonte në ekipin e parë.
GRUPI A- Dortmundi do të kualifikohet si e para në grup në rast se arrin një fitore. Ndërsa Atletiko gjithashtu mund të sigurojë raundin e ardhshëm të Ligës së Kampionëve nëse merr 3 pikët dhe ndeshja tjetër përfundon në barazim. Monako do ta ketë të pamundur të zërë një nga dy vendet e para nëse nuk fiton ndeshjen e radhës dhe Atletiko fiton. Po ashtu, e njëjta situatë edhe për Klub Bryzhin. Nëse ata nuk fitojnë dhe Atleitko merr 3 pikët, atëherë mbyllen llogaritë.
GRUPI B- Barcelona do të kualifikohet si e para e grupit me 3 pikë, ndërsa me 1 pikë siguron biletën gjithashtu. Interi i Spaletit mund të kalojë në raundin e ardhshëm nëse fiton dhe ndeshja tjetër përfundon barazim. Totenhemi dhe PSV-ja "digjen" nëse Interi mund Barcelonën dhe ato të dyja nuk arrijnë të fitojnë.
Grupi C- Cërvena Zvezda e ka të pamundur të dalë në dy vendet e para nëse humbet dhe Napoli fiton. Është vetëm ky përfundimi që mund të dalë për momentin, duke qenë se tri ekipet e tjera kanë shumë shanse.
GRUPI D- Lokomotiva e Moskës e ka të pamundur të kualifikohet nëse humbet dhe në ndeshjen tjetër të grupit ka një fitues. Por, gjithashtu ata s'kanë shanse nëse barazojnë
dhe Shalke fiton.
GRUPI E- Ajaksi mund të kualifikohet nëse fiton ndeshjen kundër Benfikës. Bajerni gjithashtu mund të presë biletën me 3 pikë ndaj AEK-ut dhe Benfika të humbasë. Benfika do ta ketë të pamundur të kalojë në raundin e 1/8-ave
nëse humbasin dhe Bajerni fiton. Po ashtu edhe AEK-u do të eliminohet nëse humbet ose barazon, por Ajaksi nga ana tjetër shmang humbjen.
GRUPI F- Mançester Siti i Guardiolës do të kualifikohet nëse fiton dhe Hofenhaimi humbet. Gjermanët eliminohen
përfundimisht nëse humbasin dhe Siti fiton.
GRUPI G- Viktoria Pëlzen do të eliminohet nëse humbet dhe Roma fiton.
GRUPI H- Juventusi kalon në raundin e ardhshëm nëse nuk humbet, por kualifikohet në vendin e parë nëse fiton.