"Goli ishte bërë makth, dita perfekte"
Jurgen Bardhi mbushi 21 vjeç një ditë përpara ndeshjes ndaj Kastriotit. Mesfushori me tipare sulmuese i të kuqve ishte njeriu i ndeshjes në sfidën e djeshme të luajtur në Krujë. Ai shënoi të dy golat për Partizanin, ndërsa kishte mundësi të realizonte edhe të tjerë, por nuk u tregua i saktë. Nuk mund të shkonte më mirë për të festimi i 21-vjetorit me dopietë dhe për më tepër duke i dhënë fitoren skuadrës. Partizani është sërish në krye, ndërsa Bardhi flet i lumtur për golat dhe për vazhdimësinë. Futbollisti i talentuar ndihet i çliruar pas dopietës së djeshme. "Jam shumë i lumtur që shënova. Se kjo puna e golit ishte bërë si makth për mua. Me dy gola mendoj se është diçka e mirë për mua", tha ndër të tjera Jurgen Bardhi në intervistën e tij pas ndeshjes në emisionin "Gol pas Goli" në "SuperSport". Kujtojmë që Bardhi nuk kishte shënuar asnjë gol këtë sezon në kampionat.
Dje ( të martën) kishit ditëlindjen, ishte kjo dhurata më e bukur për ju duke shënuar dy gola?
Besoj se po. Se kjo puna e golit ishte bërë si makth për mua. Me dy gola mendoj se është diçka e mirë për mua.
Ndihet një rënie fizike te Partizani?
Normale sepse është faza e dytë dhe ne bëjmë një lojë që bëjmë shumë presing. Edhe skuadra e Kastriotit na vuri pak në vështirësi. Edhe fusha bëri të vetën.
Nuk jeni i gëzuar që keni shënuar sot, pasi dukeni shumë i qetë, çfarë po ndodh?
Jam shumë i lodhur dhe në fushë mezi po ecja. Nuk mund as të qesh, por jam shumë i gëzuar në vetvete.
Ardhja e një sulmuesi cilësor, e ka këtë nevojë Partizani apo mund ta plotësoni ju me shokët tuaj?
Unë nuk e di sepse nuk jam specialist. Nëse në një ekip shënojnë të gjithë, është diçka shumë e mirë. Nuk varet vetëm nga një person. Se kur shënojnë shumë është më mirë. Nëse shënon vetëm njëri dhe larg qoftë dëmtohet, atëherë ekipi i bie mos të shënojë. Ndaj është më mirë të shënojnë shumë.
Fillimet tuaja janë tek Iliria e Fushë-Krujës dhe aty është realisht shtëpia juaj, si u ndjetë që shënuat sot (dje)?
Kam qenë më shumë në nivel amator tek Iliria. Hapat e para i mora te Partizani. Gjithsesi është emocion që të shënosh këtu kur je i rikthyer. Tashmë, duhet të shohim vetëm përpara, pasi ndeshjet vështirësohen.