Shehi: Ishte ditë jo, ua bëmë të thjeshtë të shënonin
Trajneri i Skënderbeut, Orges Shehi, ka komentuar për mediat humbjen e djeshme si një takim, në të cilin korçarët ua bënë të thjeshtë kurbinasve për të shënuar, si dhe nuk kanë shfrytëzuar volumin e lojës që krijuan.
Rezultati a i përgjigjet lojës së zhvilluar?
Po të shikosh rezultatin 2-0, krijon një ide tjetër për ndeshjen. Ne kemi provuar të ndryshojmë, por ky është futbolli, nuk kemi çfarë të bëjmë. Pas 10 minutave të para kemi hyrë në lojën tonë, bëmë qarkullimin e topit dhe kemi shkuar afër portës së kundërshtarit. Në momentin tonë më të mirë, kur po ushtronim presion, u goditëm me golin e dytë dhe aty u mbyll gjithçka.
Shumë volum loje, por pa gol. Çfarë ndodhi me Skënderbeun? Në fakt, i tillë është futbolli dhe ne duhet ta pranojmë. Në këndvështrimin tim, përveç dhjetë minutave të para, kemi luajtur dhe ushtruar trysni. Bëmë presion dhe patëm raste, por ja që u ndëshkuam. Mungoi pasi i fundit apo skuadra ishte pak agresive në finalizim?
Kur një kundërshtar qëndron mbrapa, zonat janë shumë të ngushta. Në pjesën e parë tentuam dhe dolëm nga krahët drejt portës kundërshtare, por nuk ishim shumë të qartë te pasi i fundit dhe sulmimi i zonës së golit. Kurse në pjesën e dytë, patëm edhe raste të pastra, të cilat nuk i shënuam dhe... s'kemi çfarë të bëjmë.
Pse duket sikur keni më shumë motivim ndaj skuadrave rivale si Partizani, ndërsa sot (dje) ekipi ishte më i përgjumur?
Ndoshta emri i skuadrave na motivon pak më shumë. Megjithatë, sipas meje, nuk është kjo. Mund të ndikojë edhe orari i ndeshjes, mund të ndikojë edhe efekti që pati pragndeshja, do luhet-s'do luhet. Gjithashtu, jemi në një fazë që të gjitha skuadrat duan vlerësim. Për ta përsëritur, përveç dhjetëminutëshit të parë ku nuk dihet se ku ishim, pjesa tjetër pati reagim të skuadrës dhe bëri lojë shumë të mirë. Është e vështirë kur kundërshtari qëndron i gjithi mbrapa.
Ju bezdisi ajo që u fol gjatë javës nëse do të luhej apo jo? Fillimisht, kjo gjë të çorienton pak. Megjithatë, ne nuk duhet të gjejmë alibi. Ne e interpretuam ndeshjen mirë përveç startit, pastaj golat na erdhën si moment mospërqendrimi. Momente, në të cilat ia kemi bërë më të lehtë kundërshtarit për të shënuar. Është një humbje që na dhemb, por duhet të shohim përpara se kampionati është i gjatë. Varësi ndaj Muzakës dhe Bregut, po nuk shënuan, as ekipi nuk ia del...
Muzaka është i rëndësishëm për Skënderbeun, por sot (dje) ishte një ditë "jo". Kur Laçi u mblodh mbrapa, hodhëm edhe Guedj në fushë. Realisht, nuk është se varemi vetëm nga një lojtar. Bregu është lojtar krijues që luan mirë në zonat e ngushta. Gjithsesi, ne jemi skuadër që krijojmë dhe në çdo ndeshje kemi pasur rastet tona. Por, në futboll duhet të shënosh dhe nëse nuk e bën, të bëhet më e vështirë.