Panorama Sport (Albania)

Nojer: Ishim shumë pranë fitores

-

Kapiteni i skuadrës së Bajernit, Manuel Nojer, ishte shumë i zhgënjyer me rezultatin e ndeshjes ndaj Borusias së Dortmundit. Portieri i bavarezëve tha pas ndeshjes se skuadra e tij ishte shumë pranë fitores dhe se me pak kujdes mund të kishte dalë me pikë nga ky takim. "Në pjesën e parë zhvilluam një ndeshje shumë të mirë. Por problemi ynë vazhdojnë të mbeten gabimet që bëjmë në fushën e lojës. Borusia kishte 5- 6 mundësi për të shënuar, nga të cilat arriti të realizojë tre gola. Ata ishin shumë të shpejtë kur sulmonin, gjë që na krijoi jo pak probleme. Penalltia? Në momentin që Rojs po vinte drejt meje u mundova të tërhiqja duart. Ai nuk kishte më mundësi të luante me topin. Sigurisht që kontakti ekziston, ndaj penalltia edhe mund të jepet",- u shpreh Nojer pas ndeshjes. Më pas, kapiteni foli edhe për renditjen duke shpresuar që reagimi i Bajernit të vijë sa më shpejt. "Mund të shikojmë të gjithë tabelën e renditjes. Jemi aty edhe pas kësaj humbjeje. Nuk luajtëm një ndeshje të keqe. Na mungoi zgjuarsia për të marrë me vete fitoren. Ajo ishte mëse e arritshme për ne",- përfundoi Nojer deklaratën e tij për "Skysport".

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania