Daja rigjen Skënderbeun: E mund me Flamurtarin
“Do ketë rokadë në kreun e renditjes, ja pse jemi ndalur nga ekipet jofavorite”
kënderbeu duket se ka lënë pas humbjen e dytë sezonale në kampionat të shkaktuar nga Laçi dhe është duke menduar vetëm për ndeshjen e radhës përballë Flamurtarit. Një ndeshje, në të cilën numri një i pankinës korçare kërkon përqendrim maksimal nga ekipi i tij. Në konferencën për shtyp, trajneri i Skënderbeut, Orges Shehi, ka folur për ndeshjen e radhës kundër Flamurtarit, duke e quajtur një ndeshje derbi, në të cilën ekipi duhet të bëjë maksimumin për të rikthyer serinë e fitoreve në kampin korçar.
Shehi, pas humbjes së dytë sezonale, si është situata në kampin korçar?
Është një moment, i cili nuk është ndër më të mirët, pasi asnjëherë humbjet nuk janë të mira në futboll për ata që janë pjesë e tyre gjithmonë. Për këtë mund të citoj shprehjen se, “Humbjen pranoje, por mos e duro”. Kështu që, ndeshja e radhës këtë herë ishte shpejt dhe për më tepër është një ndeshje ndaj një rivali direkt dhe si e tillë është mjaft e rëndësishme për ne. Është një ndeshje derbi dhe mendoj se na shërben që ekipi të reagojë në mënyrën më të mirë të mundshme.
Sa i vështirë është ky moment për Skënderbeun?
Nuk mund të themi se është i vështirë ky moment, por vijmë pas një humbjeje dhe e kemi si detyrim që të rikthehemi te fitorja. Për këtë arsye duhet të bëjmë maksimumin tonë dhe të japim më të mirën e mundshme. Duhet ta kalojmë këtë moment dhe është koha që të tregojmë se jemi kampionët në fuqi.
Keni në dyshim Bregun. Si është gjendja e lojtarit?
Dejvi për fat të keq ka pasur një dëmtimin në këmbë në ndeshjen ndaj Laçit dhe është stërvitur veçmas grupit për gjatë këtyre ditëve. Do të shohim sesi do të jetë gjendja e lojtarit deri ditën e sotme në mëngjes dhe më pas do të vendosim se çfarë do të bëjmë.
Nëse nuk ia del Bregu, cila është alternativa për ta zëvendësuar?
Do të shohim dhe mos mendoni se do ju them formacionin që tani. Lojtarët i kemi dhe mundësitë po ashtu, që të zëvendësojmë në mënyrën më të mirë të mundshme Bregun. Por të shohim fillimisht si do të jetë gjendja e tij.
Në sulm ka pasur shpeshherë pavendosmëri...
Për fat të mirë, kemi alternativa në këtë repart dhe mund të bëjmë zgjedhje nga më të ndryshmet në një ndeshje apo gjatë gjithë kampionatit. Do të shohim sesi do të jenë lojtarët për këtë takim dhe më pas të vendosim. Kemi mundësinë që të ndërtojmë ekipin në varësi të kundërshtarit që kemi përballë.
Flamurtari i Dajës. Kush është në avantazh mes ju të dyve?
Mendoj se nuk është një ndeshje mes meje dhe Dajës, por mes Skënderbeut dhe Flamurtarit. Siç na njeh Daja ne, edhe ne e njohim Flamurtarin. Tani çdo ekip ka informacionin e duhur për kundërshtarin. Dhe ne kemi bërë analizën e duhur të ekipit vlonjat dhe jemi gati që të përballemi me ta.
Pas analizës, ku janë pikat e dobëta të kundërshtarit?
Nëse prisni që të flas për këtë, gaboheni. Kemi bërë analiza me ekipin dhe ua kam shpjeguar këtë gjë duke e analizuar kundërshtarin në detaje. Shpresoj që ekipi të jetë në formë të mirë dhe të japë maksimumin.
Një ekip që fiton me të mëdhatë, por gabon me të voglat?
Është normale që një ekip i ri si puna jonë, me një moshë shumë të re, të ketë probleme të caktuara në momentet e caktuara në kampionat. Jemi të rinj dhe të vetëdijshëm se
kemi shumë për të mësuar. Në ndeshjet e mëdha kemi bërë mjaft mirë dhe kjo të bind për vetë forcën e ekipit. Kjo tregon potencialin që kemi, ndërsa nga ana tjetër duhet të jemi më të kujdesshëm në ndeshjet e tjera, pasi të gjitha vlejnë tri pikë.
Partizani tashmë në vendin e parë, a ju tremb?
Jo, aspak. Unë jam këtu për të folur për ndeshjen e radhës ndaj Flamurtarit. Është një kampionat i gjatë dhe është normale që të ketë rokadë në majë të renditjes. Ne shohim punë tonë dhe jemi të përqendruar vetëm te ndeshja e radhës.