Kriza e Tiranës, Josa: Problemi janë drejtuesit
Prapaskena me Memën, do qëndrojë me “kusht” deri në derbi
Mirel Josa “skanon” Supe rioren, por mbi të gjitha Tiranën. Trajneri i Prishtinës, duke përfituar nga pushimet, është rikthyer në “Selman Stërmasi”, por këtë herë për të ndjekur Kukësi-Teuta. Në një intervistë të dhënë pas ndeshjes për mediat, tekniku ka folur pa dorashka sidomos për situatën që po kalojnë bardheblutë, duke i dhënë një “shuplakë” Refik Halilit. E quan eksperiencën te 24 herë kampionët si dështim në karrierën e tij dhe thekson se problemi te ky klub nuk qëndron te trajnerët, por te qëllimet që kanë njerëzit që drejtojnë.
Çfarë ndryshimesh shikoni te futbolli kosovar me atë shqiptar?
Futboll luhet kudo, por secila ka ato të vetat. Vetëm ne si trajnerë duhet të jemi shumë të kujdesshëm dhe të përshtatemi me karakterin e drejtuesve dhe futbollistëve.
A ju kënaqi niveli i lojës në Kukësi-Teuta?
Unë rikthehem për të parë një ndeshje, megjithëse jam i axhronuar me të gjitha ngjarjet që ndodhin në kampionatin shqiptar. Skuadrat nuk duhet që të merren me të kaluarën, por të shohin nivelin aktual. Dhe, niveli aktual i përgjigjet klasifikimit. Qoftë Partizani dhe Skënderbeu që janë në luftë për titull, Kukësi që është pak më pas, Laçi që është pothuajse në të njëjtin nivel. Është një kampi-
onat i luftuar dhe diferencën mund ta bëjnë momente të caktuara të një ndeshjeje. Edhe ndeshja e sotme (djeshme) mund të mbaronte në pozitivitet për të dyja skuadrat, me Kukësin që pati një pjesë të dytë të mirë, qoftë dhe për ekipin e Teutës, që ishte i vendosur shumë mirë pjesën e parë, kur kaloi në avantazh. Mund të rrezikonte sërish në fund të ndeshjes. Ishte një ndeshje e luftuar.
Ndonjë qëllim tjetër a ka kjo vizitë?
Erdha për të ndjekur më tepër ecurinë e dy miqve të mi, të Armandos dhe Bledit, që ishin në stolat respektivë të dy skuadrave.
Keni punuar si me Cungun ashtu edhe me Shkëmbin, por cili prej tyre ka marrë më shumë nga ju?
Edhe unë kam marrë nga trajnerët e tjerë, me të cilët kam bashkëpunuar. Armandon e kam mik që herët, ndërsa me Bledin kemi formuar një miqësi shumë të mirë kur e drejtoja si trajner. Çdo trajner “vjedh” nga përvoja e tjetrit, gjë që e kam bërë edhe unë. Problemi qëndron që gjithnjë duhet të marrim më të mirat, pasi dihet që edhe ne i kemi të këqijat tona.
Keni shumë vite përvojë në elitë, por a mbani mend ndonjë periudhë më të keqe se kjo, referuar infrastrukturës?
Problemi i Superiores është që Laçi, Kukësi dhe Durrësi nuk luajnë në fushën e tyre, apo Partizani që nuk ka stadium. Çdo skuadër duhet të ketë terrenin e tij dhe tifozët, të cilët e mbështesin. Luajnë dhe tifozët në këtë luftë që bëhet mes dy skuadrave, sepse futbolli veç argëtimit është edhe luftë. Problem është
që skuadrat nuk kanë shtëpitë e tyre dhe të ambientohem me qytetin apo me mënyrën si ndiqen nga tifozët. Kjo është vendimtare në futboll. Por, jo vetëm këtu, pasi këtë problem e kisha vjet te Prishtina, ku gjatë gjithë kohës ishim mysafirë.
Thatë më lart se çdo ekip meriton renditjen që ka. Duke u bazuar te kontingjenti i lojtarëve, mendoni se ka shpëtim për Tiranën?
Tirana mund të ishte dhe më lart, por mua s’më takon që të flas. Pasi edhe kalimin tim te Tirana, përtej problemeve që pata, e quaj një dështim në karrierë. Kjo, për shumë shkaqe dhe mbi të gjitha karakterit tim që nuk më lejoi të veproja në momente të caktuara ashtu si duhet të veproja. Këtë gjë duhet t’ia lëmë kohës, ajo do të tregojë me mirë se çfarë po ndodh dhe çfarë ka ndodhur
me Tiranën dhe kush janë fajtorët. Për mua Tirana është skuadra emblemë në Shqipëri, por duhet ditur shumë mirë sesi të menaxhohen situatat. Te Tirana nuk e kanë fajin trajnerët.
Duke u bazuar te situata që ju përmendet, mendoni se gaboi Ardian Mema që pranoi drejtimin e Tiranës?
Nuk besoj se Ardi Mema gaboi. Problemi është te qëllimet e njerëzve që drejtojnë Tiranën. Duhen zbardhur mirë qëllimet e njerëzve që drejtojnë Tiranën, për të kuptuar. Dhe këtu nuk flitet për individët, qoftë president apo njerëz të tjerë që janë mbrapa presidentit, por këtu flitet për qëllimet që kanë njerëzit për Tiranën. Këtu duhet të shohim se çfarë përfitimesh kanë njëri apo tjetri, por të gjejnë një zgjidhje për të ngritur emrin që ka. Nuk dua të flas më shumë për Tiranën, pasi do të ishte keq edhe për mua.