Polemika për golin e anuluar, Gjici: Na mohoi fitoren
Reagojnë presidenti dhe sulmuesi: Ishte gol i rregullt
Një gol i anuluar i Kukësit në minutën e 34-t, kur rezultati ishte 0-1 në favor të Teutës, ka shkaktuar polemika të mëdha pas ndeshjes. Pamjet filmike tregojnë se kemi të bëjmë me një moment ku anësori Ani Koçiaj mund të ketë gabuar. Pas shërbimit të Shkodrës tokazi nga një goditje dënimi, Rexhinaldo del i vetëm me Hidin dhe shënon, por anësori ngre flamurin për pozicion jashtë loje. Në momentin e shërbimit të Shkodrës, pamjet tregojnë se Sidibe dhe Shkalla janë në një vijë me sulmuesin e Kukësit, Rexhinaldo. Edhe në minutën e 40-të kemi një pretendim tjetër të verilindorëve, teksa pas devijimit të topit me kokë në zonë nga Rexhinaldo, kërkohet penallti për prekje me dorë të shkallës. Gjyqtari Meta vazhdoi lojën në këtë moment, duke vepruar drejt, pasi pamjet filmike tregojnë se kemi të bëjmë me një largim të topit me gjurin e djathtë nga qendërmbrojtësi i Teutës. Ndërkohë, në minutën e 92-të, pati një tjetër gabim nga anësori, kur Ndreca doli i vetëm para Frashërit dhe ky i fundit priti. Aksioni u konsiderua në pozicion jashtë loje, por këtu gaboi sërish Koçiaj. REAGIMET
Në një prononcim për “Panorama Sport” menjëherë pas përfundimit të ndeshjes në “Selman Stërmasi”, presidenti i Kukësit, Safet Gjici, shprehu zhgënjimin e tij për faktin se skuadra nuk arriti të fitonte. Gjithsesi, Gjici nuk kurseu as arbitrimin, duke theksuar se goli i shënuar në pjesën e parë nga Rexhinaldo nuk duhej anuluar, pasi ishte i rregullt. “Jam shumë i zhgënjyer nga kjo ndeshje. Ishte një takim që ne duhet ta kishim fituar patjetër. Me golin e anuluar do kishim fituar ndeshjen”, deklaroi shkurtimisht kreu i klubit verilindor. I pyetur më pas për largimin nga zona e kreut me 10 pikë, Gjici dukshëm i zhgënjyer, nuk bëri asnjë koment. Ndërkohë, për golin e anuluar reagoi edhe vetë protagonisti i atij rasti, sulmuesi Arturo Rexhinaldo. Mozambikasi la një mesazh në profilin e tij në “Instagram”, ku ndër të tjera shkruan: “I lumtur që realizova gol dhe ndihmova skuadrën të barazonte. Ishte mëkat që goli i parë m’u anulua si gol i parregullt, të cilin vetëm anësori e pa. Megjithatë, vazhdojmë punën që të arrijmë objektivat. Forca Kukësi!”.