Bëmat e shqiptarëve, De Biazi: E kthyen autobusin në disko
"Hanë në mënyrë të ekzagjeruar, mësova shumë gjëra"
Kualifikimi historik në Europian me Kombëtaren shqiptare mjafton për ta ulur Xhani De Biazin në tryezën e trajnerëve të lavdishëm të futbollit italian. Ditën e djeshme në një ceremoni të organizuar për 120-vjetorin e federatës italiane, ish- trajneri kuqezi ka qenë përkrah emrave të mëdhenj të trajningut si Fabio Kapelo, Roberto Mançini, Karlo Ançeloti, Antonio Konte, Masimiliano Alegri, Luçiano Spaleti etj. Në fjalën e tij, ai tregon edhe momente pikante të jetuara në Shqipëri si muzika e lartë në autobus apo ushqyerja e ekzagjeruar. Të gjithë qeshën dhe u befasuan nga deklarata e trajnerit italian, i cili e konsideron eksperiencën në Shqipëri si më të bukurën dhe nga e cila arriti të merrte mesazhe të qarta dhe të nxirrte mësimet e duhura për një trajner që të arrijë sukseset. AVENTURAT "Konsumojnë shumë pjata dhe hanë në mënyrë të ekzagjeruar, sepse e përjetojnë futbollin si një lojë. Autobusi duket si një diskotekë me muzikën në kupën e qiellit. E vendos magazinieri i skuadrës. Ti i afrohesh dhe e ul volumin, ndërsa ai e ngre sërish", tregoi De Biazi. Diçka e tillë shkaktoi të qeshura dhe humor në mbledhjen e organizuar nga Federata Italiane e Futbollit. Ish-trajneri kuqezi krenohet me aven-
turën që përjetoi te Shqipëria. "Nuk kam stërvitur skuadra të mëdha, por eksperienca që pata me Kombëtaren e Shqipërisë më mësoi dhe më dha mesazhin e qartë se të punosh në mënyrë të organizuar, të jep fryte dhe më shumë mundësi për të bërë mirë. Formula
e suksesit? Ekuilibri është shumë i rëndësishëm. Mes asaj që ti kërkon, duhet të respektosh limitet dhe mundësitë që të ofrohen në vendin ku punon. Po ashtu, edhe kulturën sportive që ai vend ka", ka treguar ish-trajneri i Kombëtares.