Hënes dhe Salihamixhiç mendojnë ndryshe për merkaton
A ka nevojë Bajerni të ndërhyjë në merkaton e dimrit? Pas disfatës ndaj Borusias nuk mund të përgjigjen njëlloj edhe drejtuesit bavarezë. Një situatë disi kaotike në Mynih pas humbjes në Dortmund që i çon kampionët në -7 pikë nga verdhezinjtë. Presidenti i klubit bavarez, Uli Hënes, tha pas ndeshjes se klubi nuk do të hynte në merkaton e dimrit, pasi nuk e sheh të arsyeshme. “Jo, nuk do të bëjmë asnjë lëvizje në merkato. Por presim të rikthehen lojtarët e dëmtuar. Koman ka filluar stërvitjen dhe Tiago do të rikthehet së shpejti. Toliso edhe pse vonë do të jetë sërish pjesë e jona”, u shpreh numri një i klubit bavarez. Por, nuk ka qenë i këtij mendimi Hasan Salihamixhiç. Ai foli për “Kicker”, duke thënë se do të jetë vigjilent në merkato për të sjellë lojtarë në skuadër nëse do të jetë e nevojshme. “I kemi sytë gjithmonë hapur për të sjellë në skuadër lojtarë që do të na përmirësonin lojën. Nëse një lojtar do të na bindë, atëherë do ta marrim në konsideratë një transferim të mundshëm”, u shpreh Braco. Kjo tingëlloi ndryshe te Hënes, tani pritet vetëm mendimi i Rumeniges, i cili nuk iu përgjigj seriozisht kësaj pyetjeje pas ndeshjes në Dortmund të shtunën pasdite. Tani pritet vetëm pushimi dimëror, për të parë nëse bavarezëve do t’u duhet një ndërhyrje në merkato. Por, nëse distanca me verdhezinjtë do të thellohet dhe skuadra do të vazhdojë të humbasë lojtarë të rëndësishëm, atëherë drejtuesit do të detyrohen të jenë aktivë në merkato. Situata te Bajerni vazhdon të jetë jo e qetë dhe, me sa duket, vetë drejtuesit nuk dinë se çfarë qëndrimi të mbajnë pas dështimit në Dortmund. Duket se ka një përçarje midis trajnerit, lojtarëve dhe presidencës, gjë që po dëmton shumë klubin në objektivat sezonalë.