Panorama Sport (Albania)

Fjodor Xhafa: Derbi nis që në autobus, Tirana ia del nëse...

Ish-sulmuesi i bardhebluv­e këshillon ekipin e Memës

-

Fjodor Xhafa është një nga sulmuesit më të spikatur të Superiores ndër vite. Me disa tituj kampionë mbi shpatulla, më saktë katër radhazi, një me Dinamon e tre me Tiranën, Xhafa ka 5 vite që është "divorcuar" me futbollin e luajtur, por jo me atë të pankinës. Aktualisht, trajner te Flamurtari U- 19, Fjodor Xhafa flet para derbit për situatën te Tirana, skuadrën ku ka kaluar pjesën e rëndësishm­e të karrierës. Për Xhafën, Tirana duhet të lërë pas problemet, por të zbresë nga autobusi dhe të fitojë derbin.

Fjodor, ju keni luajtur në vitet e arta të Tiranës. Si e kujtoni derbin?

Të them të vërtetën, derbi në përgjithës­i nuk ka pasur shumë rëndësi se cili ekip ka qenë pretendent për kampion apo me pozita më të dobëta. Gjithmonë derbi ka qenë si ndeshja e sezonit, për të dyja skuadrat. Nuk ka pasur asnjëherë favoritë. Si skuadra e fortë dhe e dobët mund të fitonin. Dilnin nga vetvetja në derbi. Si ishte situata e paraderbit, për shembull te Tirana. Në këtë ekip duan ta fitojnë gjithmonë këtë ndeshje?

Te Tirana, gjithmonë kanë qenë dy objektiva. Fitimi i trofeut më të mirë në Shqipëri. Dhe i dyti objektiv është fitorja e derbit. Ishte ndeshja për t'u fituar medoemos, pasi takimet e tjera nuk kanë pasur rëndësi.

Si i keni parë Tiranën dhe Partizanin këtë sezon? Nuk ndryshojnë shumë si skuadra. Partizani ka pasur një ecuri diçka më pozitive, pavarësish­t se në takimin që luajti në Vlorë nuk shfaqi ndonjë gjë të madhe. Nuk kishte atë "kostumin" e ekipit që kryeson kampionati­n. Ndërsa Tirana, me problemet e saj që po zgjaten, po kalon një krizë identiteti për momentin.

Gjatë sezoneve te Tirana, cili është derbi më i bukur që keni luajtur?

Kanë kaluar shumë vite nga derbi i fundit dhe shumë gjëra nuk mbahen mend. Gjithsesi, derbi mbetet derbi. Mjafton që ta luash dhe është diçka speciale. Lojtari duhet ta shohë si diçka të jashtëzako­nshme, nëse luan si titullar. Ai lojtar që luan nuk ka nevojë të bëjë nxehmje, sepse sa të zbresë nga autobusi është i gatshëm të luajë në fushë.

Keni një këshillë për Tiranën dhe lojtarët e Tiranës për këtë derbi?

Për ta fituar derbin, kam këtë këshillë. Me këto probleme që kanë dhe po kalojnë, u them që të futen në fushë dhe të harrojnë çdo gjë që ka ndodhur deri tani. Të jenë të qetë dhe të mos mendojnë se çfarë ka ndodhur më parë. Të jenë të përqendrua­r te loja dhe të mos kenë në kokë faktin që ka 14-15 ndeshje pa fituar Tirana në derbi. Nëse e bëjnë këtë gabim, janë të humbur. Ta marrin si ndeshjen e parë mes dy ekipeve. Sikur po luhet tani dhe jo çfarë ka ndodhur në të kaluarën, por të shohin përpara për të fituar.

Cilin sheh si Fjodor Xhafën në këtë moment?

Në këtë moment nuk është se po shoh "vrasës" të mirëfilltë në sulm. Tani golat janë shpërndarë në të gjitha repartet. Kjo është gjë e mirë, por përsëri skuadrës i duhet një sulmues. Sidomos një ekip që pretendon, duhet të ketë sulmues goli apo lojtar që mund ta nxjerrë nga situata. Nuk shoh ndonjë specifikis­ht. Janë të shpërndarë nën nivelin mesatar apo lojtarë vrasës, nëse duam ta përkufizoj­më kështu.

Shumë nga shokët e ekipeve tuaja apo edhe kundërshta­rë, mendojnë se tani niveli është shumë i ulët, ose më mirë, në atë kohë ka qenë më lart?

Pati një moment ku ishte në ngritje kampionati ynë në atë kohë. Erdhëm nga një nivel i ulët, por u ngjitëm si nivel kampionati. Jo thjesht si skuadër, por si ekipe që luftonin për titull. Tani po shoh që të luhet futboll i kujdesshëm, taktik. Kampionati­t shqiptar, po t'i heqësh grintën që e karakteriz­on dhe i lë taktikën, për mua është i ulët. Pra, niveli është ulur nuk ka atë ritmin e dikurshëm.

Kjo vjen nga mungesa e talenteve apo filozofisë së klubeve që duan lojtarë të gatshëm?

Kjo është një nga arsyet. Shoh disa ekipe që kërkojnë të promovojnë talente, edhe pse në fund duan të arrijnë sa më shpejt rezultatet. Pak skuadra kanë vizion largpamës dhe që duan të fitojnë dhe prodhojnë sa më shumë talente.

Cila prej skuadrave e fiton derbin e së premtes? (qesh)... Nga të dyja ekipet më tërheq fanella që kam përfaqësua­r, Tirana.

Cilën nga skuadrat, jo vetëm dyshen e derbit, sheh pretendent­e për titull këtë sezon?

Nuk mund të them emrin e një skuadre. Pikët që janë në lojë mund të ngjisin shumë lart. Varet shumë nga lëvizjet në janar, përforcime­t dhe largimet në atë muaj. Çdo gjë është e mundur.

Olsi Avdiaj

 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania