Skënderbeu u bllokua që në rrugë, tre presidentë “qajnë”... hallet

Panorama Sport (Albania) - - KATEGORIA SUPERIORE -

Kukësi-Skënderbeu bën tre presidentë bashkë në tribunën VIP, ndërsa ekipi korçar bllokohet që në rrugë, duke e nisur me vuajtje. “Panorama Sport” ju sjell të gjitha pikantet e ndeshjes së djeshme.

BLLOKIMI - Lojtarët dhe stafi i Skënderbeut kanë ecur në këmbë mbi 100 metra rrugë si para ashtu edhe pas ndeshjes. Duke qenë se rruga te stadiumi i Kamzës ishte e bllokuar prej makinave të parkuara, autobusi i Skënderbeut u detyrua të ndalojë në rrugën kryesore për të zbritur futbollistët. Me valixhe nëpër duar, ata iu drejtuan stadiumit të Kamzës, por të njëjtën situatë përjetuan edhe pas ndeshjes.

TIFOZËT – Jo më kot Kukësi zgjodhi stadiumin e Kamzës për të luajtur ndaj Skënderbeut. Rreth 1500 tifozë kuksianë e kanë mbështetur dje ekipin, por duke kaluar masën në disa raste. Kulmi arriti në minutën e 57-të në tribunën përballë, aty ku pas një ndërhyrjeje të Alitit ndaj Dzarias, tifozët u tensionuan dhe hodhën sende të forta në fushë. Madje, një prej tyre kapi në pjesën e qafës mesfushorin e Skënderbeut, Demte. Ndërhyrja e stjuartëve qetësoi me vonesë tifozët, që dy-tre prej tyre madje kaluan edhe rrethimin, duke tentuar të futen në fushë.

FESTA NË FUND – Pas përfundimit të ndeshjes ka pasur “pushtim” të fushës nga tifozët kuksianë, të cilët kanë festuar me idhujt e tyre. Një prej lojtarëve më të preferuar ishte kapiteni Ylli Shameti, por disa herë në kor gjatë ndeshjes pati thirrje edhe për Besar Musollin. Tifozët gjetën momentin për të nxjerrë celularët nga xhepi dhe për të bërë fotografi në fushë me lojtarët dhe stafin e Kukësit. CUNGU – Në minutën e 23-të trajneri i Kukësit, Armando Cungu, bëhet “portier”. Një top i goditur me kokë nga Abazi në gjysmëfushën korçare përfundon në duart e shkodranit, i cili e pret si portier. Në disa momente gjatë ndeshjes ai është acaruar me lojtarë e tij. “O Zot, një orë të gjuajë një top”, - tha Cungu fillimisht për Ethemin, që e tepronte me mbajtjen e topit. Në pjesën e dytë u kap edhe me Limajn, me të cilin nuk duroi gjatë, pasi e zëvendësoi me Shkodrën. PRESIDENTËT – Safet Gjici i Kukësit kishte në krahun e djathtë Ardjan Takajn e Skënderbeut, ndërsa në të majtë Naim Qarrin e Kamzës. Gjatë pushimit mes pjesëve, të tre diskutuan mbi problemet e tyre. Qarri kishte problemin e fushës: “Ma prishe fushën, kam ndeshjen të dielën”, iu drejtua Gjicit. “Mos u mërzit, fushën e rregullojmë, rëndësi ka të fitojmë ndeshjen”, ia ktheu presidenti i Kukësit. Ndërkohë, Takaj e pyet Qarrin sesi po ia del në këtë situatë. “Si po të shkojnë punët, po të ndihmon Xhelali?”, i thotë Takaj, ndërsa Qarri i përgjigjet: “Mezi po e përballojmë”. Vlen për t’u theksuar se Qarri dhe Takaj kanë pasur një përplasje të ashpër mes tyre në sezonin e kaluar pas një ndeshjeje ku Kamza humbi ndaj Skënderbeut në Korçë. VANGJELI – Skënderbeut i mungonte dje Marko Radas për shkak kartonësh, i cili e ndoqi ndeshjen nga tribuna qendrore. Shiritin te korçarët e mbajti Kristi Vangjeli. Shpesh mbrojtësi udhëzonte shokët e skuadrës, por u pa edhe shumë i acaruar në disa raste, veçanërisht në minutën e 23-të, duke i folur Filit me një ton të lartë pas një topi të humbur. PENALLTIA – Në dy raste gjyqtari Xhaja detyroi brazilianin Melo në minutën e 53-të për të riparë vendosjen e topit te pika e penalltisë. Kjo acaroi jo pak të pranishmit, por gjithsesi lojtari në herën e tretë e vendosi topin në vendin e duhur dhe më pas shënoi. A. Dushku

Ekipi korçar detyrohet të zbresë nga autobusi 100 metra larg stadiumit

Pushtimi i fushës nga tifozët pas ndeshjes

Cungu feston si i çmendur pas vërshëllimës së arbitrit

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.