Shehi: Situatë jo e mirë, të qajmë me... masë

Trajneri i Skënderbeut pranon disfatën, ndërsa i del në krah portierit Teqja pas gabimit

Panorama Sport (Albania) - - KATEGORIA SUPERIORE -

Orges Shehi mendon se Skënderbeu po vuan më shumë se duhet presionin, ndërsa ndien keqardhje që ndaj Kukësit skuadra e tij nuk arriti të dilte të paktën me një pikë. “Kjo është një humbje që dhemb, sepse edhe mund ta evitonim. Nuk është se e pësuam nga trysnia e kundërshtarit. Është humbje që vjen në një moment jo të mirë, pasi për herë të parë në këtë kampionat vijmë pas tri ndeshjeve pa rezultat pozitiv. Jemi skuadër komplet ndryshe nga vitet e tjera. Futbolli i tillë është. Na dhemb sot, por duhet të punojmë që të qeshim nesër”, theksoi Shehi fillimisht, ndërsa më pas komentoi gabimin e portierit Aldo Teqja. “Ishte një moment i evitueshëm. Në momentin e parë e humbet toruan kur kundërshtari të bën presion dhe gabon. Kjo ndodh, i ka ndodhur Aldos. Nuk duhet ta kryqëzojmë Aldon, por duhet t’i japim kurajë. Për mendimin tim, ai është portieri më i mirë në Shqipëri”. I pyetur nëse mendon që skuadra po vuan në sulm, Shehi u shpreh: “Kemi lojtarë të rinj dhe janë pak në presion. Nuk duhet të bien në presion, ua kam thënë edhe personalisht, ua them dhe publikisht. Kërkojnë të marrin shumë përsipër dhe nuk dalin te loja e tyre. Bregu, Gripshi dhe Fili nuk duhet të ndihen sikur duhet t’i zgjidhin ata gjithmonë ndeshjet. Për sa i përket sulmit, them se pres më shumë nga i gjithë reparti. Ndoshta nuk janë mësuar akoma të jenë edhe në presion të rezultatit”. Në fund, lidhur me vazhdimësinë e kësaj situate, nëse pret një zgjidhje, Shehi foli me optimizëm. “Është një situatë jo e mirë dhe për këtë arsye kisha menduar ta lija dy ditë pushim ekipin. Por, ndryshova mendje dhe të dielën skuadra do të jetë në Korçë për të vijuar stërvitjen. Nuk duhet ta bëjmë të madhe, por duhet të jemi bashkë dhe të gjejmë një masë. Të qeshim me masë dhe të qajmë me masë. Duhet të punojmë dhe të mos mërzitemi më shumë se duhet. Nëse e kalojmë masën, humbasim besimin dhe kjo na bën më keq. Dhimbjen me pak fjalë duhet ta kthejmë në forcë”, përfundoi trajneri i korçarëve.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.