Nica: Dua pikë, bardheblutë janë të pabesë

Panorama Sport (Albania) - - KATEGORIA SUPERIORE - Bujar Balliu

Kastrioti do të përballet sot në transfertë me Tiranën, në një ndeshje mjaft të rëndësishme. Krutanët vijnë në këtë sfidë pas disa lojërave të bukura, ku në tri javët e fundit kanë arritur të marrin dy fitore. Trajneri i krutanëve, Stavri Nica, ka besim te skuadra e tij, teksa shprehet se pavarësisht fanellës së rëndë që ka kundërshtari, Kastrioti do të tentojë të mos dalë duarbosh nga kjo përballje.

"Është një ndeshje e rëndësishme, edhe e vështirë. Sepse jemi në pozita gati të barabarta, megjithatë do të thosha se djemtë duhet të impenjohen akoma më shumë, pasi është siç e theksojnë të gjithë, Tirana është një fanellë e rëndë. Në momente të veçanta kundërshtari është i rrezikshëm, kështu që duhet të jemi shumë të ekuilibruar dhe me këmbë në tokë, sepse edhe ndeshjen e parë e kemi humbur me këtë kundërshtar. Shpresoj që impenjimi të jetë maksimal dhe djemtë të jenë shumë të disiplinuar taktikisht. Ata duhet të jenë gjatë gjithë kohës të përgatitur, pasi nga ajo që kam parë, kundërshtari është i befasishëm në momente të veçanta është shumë i rrezikshëm, kështu që duhet të futemi në fushë me kurajë. Të bëjmë përsëri një ndeshje të mirë dhe dinjitoze, dhe pse jo të mos tentojmë edhe për pikë. Kanë mbetur dhe tri ndeshje deri në përfundim të fazës së dytë dhe shpresojmë që të marrim maksimumin, duke filluar nga ky takim", deklaroi Stavri Nica. Kastrioti takimin e parë e ka humbur me rezultatin 2-3 në Fushë-Krujë. Asokohe, trajner ishte Ze Maria, i cili ndonëse fitoi me Kastriotin, humbi me Laçin dhe i dha lamtumirën stolit bardheblu.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.