Terapi psikologjike, Mezani motivon lojtarët para Kamzës

Kriza financiare, trajneri kokë më kokë me futbollistët

Panorama Sport (Albania) - - KATEGORIA SUPERIORE - Tomor Shehu

Trajneri i Luftëtarit, Gentjan Mezani, po mundohet të gjejë mënyra motivimi për të karikuar lojtarët para ndeshjes me Kamzën. Ai ka folur me secilin futbollist për t’ia bërë të qartë se, përtej problemeve financiare, skuadra duhet të sillet si profesioniste në fushë për të tentuar rezultatin pozitiv. Në seancën e paradites së djeshme të zhvilluar në fushën e stadiumit “Gjirokastra”, trajneri Mezani, pasi u dha fund ushtrimeve atletike, për më shumë se 45 minuta gjithë vëmendjen e përqendroi në korrigjimin e elementëve taktikë. Me grupe lojtarësh të diferencuar, trajneri Mezani ndalej në lojën e presingut, qarkullimin e topit dhe në saktësinë e pasit të fundit. “Keni përballë një kundërshtar të fortë dhe agresiv, ndaj mos u çorientoni. Qëndroni afër njëri-tjetrit, kur ata janë me topin në kontroll. Mundohuni ta mbani kundërshtarin sa më larg mesfushës sonë. Mos t’u japim metra përpara”, ishin disa nga këshillat e Mezanit në adresë të lojtarëve të tij gjatë seancës së djeshme. Në ndeshjen me Kamzën, trajnerit Mezani do t’i duhet të plotësojë vendin bosh të kapitenit Behar Ramadani të skualifikuar, me një tjetër lojtar të këtij pozicioni. Duket se “xholi” Oltion Rrapa së bashku me të palodhurin Albano Aleksi do të jenë “diga” para mbrojtjes bluzi. Njëherazi, hedhja pas krahëve e dëmtimit të pësuar në këmbën e majtë për mesfushorin malazez, Balsa Radoviç, do të thotë nisje të lojës nga minuta e parë. Nuk përjashtohet dhe aktivizimi i tij nga stoli. Luftëtari pritet të jetë po ai i ndeshjes me Kukësin. Ruçi, Demo, Janiçiç, Hoxha, Xhekson për të vijuar me Aleksin, Rrapa para mbrojtjes Rroca, Radoviç, Milosavljev e Shkurtaj.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.