Nxehet sfida, Murataj i përgjigjet Nakos: Apolonia poshtë nesh

Kapiteni i Bylisit flet për “derbin” që do të luhet sot

Panorama Sport (Albania) - - KATEGORIA E PARË -

Bylis ka mbyllur përgatitjet dje në mesditë dhe më pas është grumbulluar në kompleksin “Gjanica” për sfidën e sotme me Apoloninë, e cila starton në orën 14:00 në stadiumin “Adush Muça”. Bylisi do të kërkojë 3 pikët në këtë takim delikat. Skuadra e trajnerit Veljko Dovedan do të synojë që të vijojë ecurinë pozitive që ka pasur këtë sezon. Trajneri i Bylisit e ka të qartë se skuadra që ai drejton është më lart se kundërshtari i sotëm. Në këtë ndeshje do të mungojë Valentino Murataj, ndërsa në dyshim është mesfushori Shyti. Liçkollari pritet që të jetë nga minuta e parë në fushë. Të gjithë lojtarët i kanë përballuar më së miri seancat e kësaj jave prag-Apolonie, ndaj edhe fitorja është detyrim në takimin e sotëm.

INTERESIMI

Fakti që luhet me një kundërshtar si Apolonia dhe është një derbi interesant, pritet që në Ballsh të ketë një interesim jo vetëm nga tifozët vendës, por edhe ata miq, të cilët pritet që të jenë prezent sot në “Adush Muça”. MURATAJ

Valentino Murataj, kapiteni i Bylisit, ka reaguar në lidhje me një deklaratë të Rudi Nakos, mbrojtësit me eksperiencë të Apolonisë. Murataj sot do të jetë përkrah tifozëve, pasi nuk mund të luajë. “Më vjen keq që Nako apo Apolonia përdor ironi lidhur me gjykimin dhe janë ata që i ‘hedhin benzinë zjarrit kot’. Duan të tregojnë diplomaci, por të paktën ne kemi dalë në deklaratë që duam të fitojmë dhe kjo nuk është turp. Pra, s’është turp që të thuash do fitojmë. Nako është me e drejtë të flasë vetë, sepse ka qenë në Ballsh dhe e njeh mirë Bylisin. Madje, për sa vite ka Nako që luan futboll, Apolonia ka qenë gjithmonë poshtë Bylisit, qoftë në Superiore e qoftë në Kategorinë e Parë. Gjithmonë, Apolonia e ka parë nga poshtë Bylisin. Sot do të jem krah tifozëve tanë dhe do të bëj tifo për të sigluar fitoren e radhës”, tha Murataj në prononcimin e tij për gazetën “Panorama Sport”. Si Bylis edhe Apolonia janë skuadra pretendente që synojnë ngjitjen në Superiore. Sot pritet një përballje shumë e fortë në Ballsh. Erjon Saliu

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.