Dinamo hap dyert për tifozët, Saliaj: Momenti për shpërthim

Në ndeshjen ndaj Vllaznisë hyrja do të jetë falas

Panorama Sport (Albania) - - KATEGORIA E PARË -

Dinamo ka zhvilluar ndeshje shumë të mira gjatë këtij sezoni, ku kryeqytetasit kanë arritur të grumbullojnë 21 pikë në 11 javë kampionat. 18 herë kampionët e Shqipërisë presin rivalët e Vllaznisë këtë javë, ku pretendojnë të fitojnë takimin e të ngushtojnë diferencën mes tyre në 4 pikë. Janë drejtuesit e klubit të Dinamos që e kanë marrë shumë seriozisht këtë takim.

SALIAJ

Administratori i Dinamos, Ismet Saliaj, në një bisedë ekskluzive me “Panorama Sport” karikon ekipin dhe u bën thirrje tifozëve që të jenë sa më të shumtë në numër të mbështesin ekipin, pasi klubi ka marrë masa që hyrja të jetë e lirë. “Këtë javë presim Vllazninë në Pezë- Helmës, ku pritet një ndeshje e madhe, takim mes dy klubeve me histori dhe traditë. Natyrisht, ne kërkojmë vetëm fitoren në këtë përballje, pasi së bashku me ekipin kemi folur dhe jemi përgatitur për të marrë më të mirën nga kjo sfidë. Kemi marrë masat për tifozët që t’u krijojmë mundësinë për të hyrë pa bileta. Gjej rastin, nëpërmjet jush, t’u bëj thirrje të gjithë tifozëve dhe mbështetësve tanë që të jenë sa më të shumtë në numër në shkallët e kompleksit në Pezë-Helmes e të ndihmojnë ekipin. Hyrja për ta do të jetë e lirë dhe i kemi marrë ne si klubi përsipër të gjitha detyrimet”, tha fillimisht Saliaj.

SYNIMI

Dinamo kërkon vetëm 3 pikët në këtë ndeshje dhe si objektiv final do synojë ngjitjen në Superiore. “Nuk kënaqemi me barazim në shtëpinë tonë, kemi bërë disa ndeshje shumë të mira, kemi pasur stabilitet dhe ecuri të mirë dhe do kërkojmë ta vazhdojmë atë. Ne hyjmë në këtë ndeshje vetëm për 3 pikët, me qëllim që të ngushtojmë diferencën me rivalët dhe në fund synojmë të arrijmë objektivin final që është elita. U kemi krijuar kushtet ekipit në çdo aspekt dhe do vijojmë ta mbështesim maksimalisht atë”. SITUATA

“Situata është e mirë, mjaft pozitive, ekipi është i bashkuar. Dy fitoret radhazi në transfertë na kanë bërë më të fortë dhe na kanë dhënë shumë vetëbesim. Lojtarët janë të karikuar dhe besimplotë për të hyrë, për të dhënë e për të marrë maksimumin nga ky takim. Nuk kemi mungesa, i gjithë grupi është mirë dhe janë të gatshëm për ndeshjen e së dielës. Kjo fitore do na shërbejë për mirë si në aspektin moral, ashtu dhe në atë të rezultateve të garës. Mbështetja jonë nuk do u mungojë lojtarëve si në aspektin financiar ashtu dhe në atë moral”, përfundoi prononcimin e tij për gazetën “Panorama Sport”, administratori i Dinamos, Ismet Saliaj. Skerdilaid Sulozeqi

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.