“Treguam edhe një herë forcën, por Interi na e bëri të lehtë...”

Panorama Sport (Albania) - - ITALI -

“Një ndeshje e luftuar, e dinim që Interi do na krijonte problem me kundërsulmin. Por, në fund treguam urinë e Juventusit për fitoren”. Mbrojtësi bardhezi, Leonardo Bonuçi, e nisi me këtë koment analizën e Juve-Inter për mikrofonat e “Juventus TV”. Duke u thelluar më tej: “Në pjesën e parë shfaqëm pasaktësi në fazën e organizimit të lojës sepse u përhapëm nga krahët duke kërkuar pasimet në vertikale: kështu u lejuam hapësira. Ndërsa në 45’ e dyta morëm nën kontroll ndeshjen, gjetëm avantazhin dhe nisëm të mbrohemi si dimë ne, duke mos u lënë asgjë. Pati dy raste kur unë dhe Xhorxho (Kielini) bëmë detyrën tonë: të mos linim kundërshtarin të kalonte”. “NA E BËNË TË LEHTË” - “Sot (dje), – vijoi Leo, - ia dolëm, por një ‘meritë’ e madhe u shkon edhe mesfushorëve dhe sulmuesve të Interit, që na e lehtësuan punën në fazën e organizimit të lojës së tyre dhe na lejuan t’u lexonim më lehtë aksionet. Pas shtyllës së goditur nga Galjardini ndryshuam marsh, krijuam diçka më shumë. E përsëris: pas këtij rasti nuk kujtoj shanse potenciale për gol të zikaltërve. Komplimente skuadrës që tregoi për të disatën herë një dëshirë të madhe për të marrë në shtëpi tri pikët”.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.