“Interi nuk është për titull, sikur të isha stërvitur si Kristiano...”

Panorama Sport (Albania) - - ITALI -

Plot 16 vite distancë, Ronaldo kthehet protagonist i JuventusInter, por këtë herë është Kristiano. Adashi i tij brazilian, gjithsesi kërkon që të saktësojë se mes tij dhe portugezit nuk ka ngjashmëri, por vetëm diferenca. “Unë, Ronaldo i vërtetë? Kjo është një gjë që më ka dëfryer gjithmonë, por po përgjigjem jo. Nuk ka sens. Unë dhe Kristiano jemi aq të ndryshëm... Ndoshta, e vetmja gjë që na bashkon është dëshira dhe uria për golin, - saktëson braziliani Ronaldo da Lima për “Gazzetta dello Sport”. - Diferencat mes nesh? Pikësëpari mosha. Nëntë vite diferencë, pastaj periudha në të cilën kemi luajtur. Nuk po them që atëherë ishte futbolli më i vështirë, por kemi përjetuar situata të ndryshme dhe me skuadra të ndryshme, ndonëse së fundmi futbolli ka ndryshuar me hapa shumë të shpejtë”. Gjithsesi, admirimi për CR7-ën është shumë i madh. “Duhet t’i japim Kristianos atë që është e Kristianos. Nëse ka ardhur në moshën 33-vjeçare në këtë formë kaq madhështore, sigurisht që nuk është një rastësi, një dhunti e natyrës. Besoj se ka pak lojtarë në botë që kanë një vëmendje dhe kujdes kaq të ngjashëm për të kuruar fizikun e tyre, një dëshirë kaq të fortë për t’u përmirësuar, falë edhe autodisiplinës së tij. Unë stërvitesha sepse thjesht duhej ta bëja, ndërsa Kristiano e adhuron që të stërvitet, edhe në kushte shtëpie. Nëse unë do të kisha pasur këtë dhunti të Kristianos, nëse do të kisha bërë edhe unë siç bën ai ende sot e kësaj dite dhe prej shumë vitesh me radhë... Kam dëgjuar shumë për të, kam takuar shumë prej miqve të Kristianos dhe jam i bindur se ai nuk është një rufian, duke postuar stërvitjet personale në ‘Instagram’, por një makineri vërtet fantastike. Sa të ndryshëm jemi unë dhe ai...”. Juventus-Inter sigurisht që është edhe ajo e vitit 1998, me atë rast penalltie aq të diskutueshme. “Ka kaluar aq shumë kohë, 20 vjet saktësisht dhe sa shumë herë kemi folur për të... Ka kaluar një jetë e tërë, por realisht ende sot e mendoj se ai ishte një turp i madh. E konfirmova këtë gjë edhe 20 vite më parë dhe nuk dija ende se çfarë do të dilte në vitet në vazhdim në sipërfaqe, por ishin kohë të tjera atëherë për futbollin italian. Gjithsesi, pavarësisht kësaj, dua të them se ndoshta është pa dyshim e nevojshme që të hetohet dhe të kërkohet gjithmonë drejtësi, por edhe të bësh viktimat nuk më pëlqen më. Tani gjërat kanë ndryshuar, prej kohësh dhe mendoj se gjithçka po ecën në drejtimin e duhur. Interi për titull? Po rritet shpejt, e ndjek, ‘Suning’ po investon, por realisht përballë kësaj Juveje edhe sivjet Interi nuk mund të luftojë për titullin kampion”, përfundoi intervistën e tij Ronaldo da Lima.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.