Konti: Më vjen turp nga Maldini

tërvitjet veçmas më shkatërruan psikologjikisht, vendi i katërt është objektiv minimal

Panorama Sport (Albania) - - ITALI - Përgatiti: REINOLD BAKALLI

Rikthimi i tij është ndër më të priturit te Milani, pavarësisht se në rolin e tij po paraqiten shumë mirë si Abate, ashtu edhe Davide Kalabria. Për Andrea Kontin nuk është ende koha për të qenë titullar, por nesër ndaj Torinos mund të rikthehet në fushë pas një mungese thuajse 20-mujorë, për shkak të dy dëmtimeve të njëpasnjëshme në gju. Mbrojtësi ka dhënë dje një intervistë për televizionin e klubit, duke analizuar momentin e tij dhe atë ekipor, së bashku me objektivat e sezonit.

Ta nisim nga riaftësimi. Si ndihesh Andrea?

Kur mbërrita te Milani isha shumë i emocionuar, por ja që më ndodhën dëmtimet, të cilat, përveç se më hoqën mundësinë për të luajtur me fanellën kuqezi, më masakruan edhe psikologjikisht. Përveç punës në palestër, më duhej të fshija trishtimin. Kanë qenë muaj shumë të vështirë, sidomos kur shihja shokët në fushë dhe nuk i ndihmoja dot. Shpresoj që më e keqja tashmë të ketë kaluar.

Gatuzo thotë se nuk je ende gati për një ndeshje të plotë...

Trajneri ka të drejtë. Jam ndierë më mirë, por edhe më keq në karrierën time. Stërvitjet me shokët më kanë kthyer besimin dhe jam gati të jap kontributin tim. Kur Gatuzo të ketë nevojë, unë do të jem aty.

Cili është objektivi yt?

Synimi im, që nga dita e parë këtu, ka qenë që të rikthej Milanin aty ku i takon, mbi "çatinë" e Europës dhe Italisë. Ky nuk është objektiv vetëm i imi, por i të gjithë klubit. Nëse ia dalim mbanë së bashku, do të ishte si një ëndërr që realizohet.

A e meriton ky Milan një vend mes katër të parave?

Deri tani po e vërtetojmë se mund ta mbajmë atë vend. Një

shoqëri si Milani nuk mund të mos synojë objektiva madhorë siç është Liga e Kampioneve. Që në sezonin e kaluar, vendi i katërt ka qenë synimi ynë, por nuk arritëm ta realizonim për shkak edhe të ndryshimeve në rang drejtuesish dhe lojtarësh. Këtë vit njihemi edhe më mirë, pastaj me drejtues si Maldini dhe Leonardo gjërat bëhen më të thjeshta.

Cili është raporti yt me Maldinin?

Kam ndrojtje sa herë e shoh. Ka disa ditë që flasim, por në momentet e para mezi e shihja në sy. Për mua, ai është një shembull, sidomos për historinë që ka shkruar në nivel botëror, e jo vetëm te Milani. Me njerëz si Maldini, vendi i katërt është objektiv minimal, sepse synimet duhet të jenë edhe më të mëdha.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.