Sarri: Siti më i miri në Europë, e dija që herët a vonë do vuanim

Panorama Sport (Albania) - - AN GLI -

Mauricio Sarri urdhëron skuadrën e tij që të mos pësojë një tjetër katastrofë si ajo e ndeshjes së kaluar, por të futet në fushë me bindjen dhe dëshirën për të administruar ndeshjen. Trajneri i Çelsit vlerëson rivalin dhe analizon ecurinë e ekipit të tij. "Mendoj se jemi një problem në kohët e fundit dhe në këto momente. Në dy ndeshje, kemi luajtur mjaft mirë për 55- 60 minuta, por pastaj në vështirësinë e parë kalojmë në... errësirë. Në ndeshjen e parë ishim edhe pa fat. Kjo, sepse kundërshtarët tanë e goditën portën vetëm 5 herë dhe 2 prej tyre shkuan në rrjetë. Pas golit të parë që pësuam nuk patëm mundësi të reagonim dhe skuadra u fut në kolaps total", tha Sarri. Siti është 10 pikë përpara bluve të Londrës dhe trajneri italian mendon se ky është një duel vendimtar për ta. "Ndeshja për ne është shumë e rëndësishme. E dimë që është e vështirë, sepse Siti është ekipi më i mirë në Europë për momentin. Kështu që i dimë vështirësitë që kemi në këtë duel. Është e vështirë që këtë skuadër ta mundësh në një kohë të gjatë, por në një ndeshje sigurisht që po. Shumë gjëra mund të ndodhin në futboll. Është shumë e vështirë që të shkurtojmë diferencat mes dy skuadrave në këto momente. Sepse realisht nuk e di se çfarë diferencash kemi mes dy skuadrave. Ne e filluam shumë mirë sezonin, pastaj dihet që do të hasnim vështirësi. Mendoj se është normale. Herët apo vonë, një skuadër ka probleme. Sidomos ne që kemi filluar një stil të ri loje. Ne duhet të punojmë shumë, duhet të zgjidhim problemet hap pas hapi, ditë pas dite. Duhet të përmirësohemi shumë dhe të mos bëjmë më gabime të tilla, sepse mund të na kushtojnë shtrenjtë", ka thënë Sarri. Ai thotë se duhet të ndryshojë mendimet e 25 futbollistëve që ka në skuadër për të ndërtuar një futboll të ri, ndryshe nga ai që luante më parë.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.