Finale për Tiranën, Mema: Koha të ringrihemi

"Partizani na la me trauma, por do të kërkojmë kthesën"

Panorama Sport (Albania) - - FAQE 1 - OLSI AVDIAJ

Ardian Mema i kërkon falje Albi Dokës. Një ditë para ndeshjes me Kastriotin, trajneri i bardhebluve zbuloi se nuk ka ndërmend të ndryshojë shumë gjëra në ekip. Është ngatërruar me rastin e Dokës, duke e konfirmuar "Panorama Sport", por edhe "fal" Erion Hoxhallarin, gjithsesi duke mos përdorur të njëjtin standard në rastet e muajve të shkuar, si Ngo, Lika, Turtulli dhe ndonjë tjetër. Mema tha se tani është koha që Tirana të fitojë dhe se nuk kërkon më papërgjegjshmëri nga ekipi. Ja intervista e plotë me Memën...

Do të luani ndaj Kastriotit ku kërkohet fitorja?

Ndeshje shumë e vështirë Kastrioti, sepse ndeshja e fundit ka lënë një lloj traume tek ekipi. Kampionati është bërë i vështirë, Kastrioti fitoi ndeshjen e fundit me Flamurtarin. Gjithsesi, duhet të përgatitemi për çdo ndeshje, si të thuash, të jetë e klasifikuar si një finale, sepse nuk kemi më kohë të presim. Këtë lloj situate duhet ta kalojmë se s'bën. Kjo gjë kalohet me punë, përpjekje dhe përqendrim.

Çfarë ka ndryshuar nga takimi i fundit, nga i cili ju dolët të humbur?

Kam dhënë një deklaratë për shtyp atë ditë. Jam shprehur gabim në një shtyp të shkruar për Dokën. Ishte një gabim i imi dhe i kam kërkuar falje direkt pas ndeshjes. Në radhë të parë, duhet të kemi një lloj standardi me njerëzit. Nuk jemi njerëz që të denigrojmë dikë. I kam kërkuar falje, i thashë pa dashje. "Më fal", i thashë sepse unë kështu e kam parë dhe ndoshta kam qenë dhe me doza emocionale.

Si mund të përgatitet eki-

pi pas humbjes në derbi?

Sa i përket përgatitjes së ekipit pas derbit, kjo është sinqerisht e vështirë. Ekipi ka pasur probleme me derbin. Gjithsesi, ka lënë gjurmë në 23 ditët e para të javës. Megjithatë, unë kam folur dhe jam përpjekur shumë që të zbus situatën sa duhet për të menaxhuar grupin dhe për të kaluar në ndeshjet e radhës, ashtu siç duhet të luajë Tirana dhe për të arritur fitoret, që janë shumë të mirëpritura te ky klub. Mundet të kemi ndryshime dhe në formacion në vazhdimësi. Gjërat duhet të ndryshojnë se s'bën. Unë duhet t'i shoh gjërat më ndryshe në këndvështrimin tim, sepse kur diçka nuk ecën, duhet ndryshim.

Meqenëse pësoni gola amatorë, ndiheni i tradhtuar nga lojtarët?

Kjo është pjesa që unë, të them të drejtën, e kam vetë menduar, diskutuar dhe analizuar. Që të pësosh gola në atë formë, edhe t'i do të ndihesh keq po të ishe në pozicionin tim. Ekipi ka qenë mirë në një përqindje të lojës. Ka pasur ndeshje ku kemi luajtur shumë më mirë se kundërshtarët. Unë e kam përgatitur ndeshjen çdo javë, por gabime të tilla kushtojnë dhe do shpresoj që të mos kemi më kështu gabimesh.

Do të ketë ndryshime në mbrojtje. Dy gola për gabime të qendrës?

Të them të drejtën, Hoxhallarit i kam thënë që nuk i vë

faj në golin e dytë të pësuar kundër Partizanit, pasi dhe kemi qenë futbollistë dhe kemi dalë huq. Sa i përket golit të parë, ajo ishte një vendosje shumë e gabuar e dy qendërmbrojtësve tanë. Dy sulmuesit kundërshtarë kaluan pas shpine dhe arritën te goli. Kjo ka qenë pjesa e analizës sime, ndërsa huq kanë dalë dhe lojtarë "yje", jo më unë, Hoxhallari, apo ndonjë lojtar tjetër.

Ama, janë veprime papërgjegjshmërie?

I papërgjegjshëm do të thotë që loja është 90 minuta. Përqendrimi duhet të jetë më shumë se 90 minuta dhe ky ekip nuk duhet ta humbë përqendrimin. Kjo është pjesa që kemi pësuar gola. Lojërat tona kanë qenë të mira, por kemi pësuar gol dhe kjo është pjesa që kemi analizuar gjatë gjithë kohës. Ne kemi humbur kohë duke analizuar këtë. Kjo gjë duhet të mbyllet në të ardhmen. Le të na shënojë ekipi kundërshtar, mund të luajë më mirë se ne, mund t'i japim dorën, por jo të humbësh ndeshjen me këto lloj gabimesh.

Fitorja është frika më e madhe e Tiranës në këto momente?

Ju keni të drejtë të më pyesni për çdo gjë dhe unë jam i detyruar të flas. Por, nuk është frikë të fitosh, sepse djemtë kanë bërë një lloj pune. Nuk është se nuk kanë bërë. Gjatë gjithë kohës në pjesën dërrmuese të ndeshjeve kemi dalë në avantazh. Kjo është pastaj pjesa që nuk mund të them dot këtu, pasi kemi folur gjatë gjithë kohës me lojtarët. I bie sikur të rikthehem prapë nga e para, por ne duhet të shohim se s'bën përpara. Kjo është pjesa që ne na duhet.

Nuk po kuptohet sepse aktivizoni të njëjtët lojtarë, edhe pse gabojnë?

Po të marrim në analizë lojtarët, do pak kohë që të analizosh kush është i gatshëm të luajë apo kush mund të luajë realisht. Megjithatë, trajneri ka një besim te lojtarët kur i fut në lojë, kjo nuk diskutohet. Por, diferencën le ta bëjë stërvitja dhe të më japin shenjat e duhura që të jenë pjesë e lojës.

Kur kthehet Gentian Muça?

E kemi diskutuar bashkë dhe Genti është në një moment riardhje, po themi. Gentit i duhet medoemos pak kohë për të arritur te momenti për të luajtur. Ka kaluar një traumë, shpresoj dhe kam biseduar me të që është një faktor pozitiv në ekip.

Çfarë ndodh nëse nuk fitoni me Kastriotin?

Është një pyetje që më është bërë çdo javë. Në këtë moment mund të jetë pyetja më e drejtë, por kjo pyetje më është bërë dhe në javën e dytë, ose të tretë që kam qenë këtu. Tani nuk mund ta bëj një koment për këtë.

Do të ketë merkato cilësore Tirana?

Një nga bisedat që kam pasur me presidentin ka qenë dhe merkatoja e janarit. Financat janë dhe kjo është e padiskutueshme. Të njëjtën pyetje ia bëj dhe vetes. A do gjenden dot lojtarët që ne pretendojmë dhe a do jenë aq cilësorë sa duhet, sepse janari është shumë i shkurtër. Kjo është pjesa që më vret më tepër.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.