Juve rekordesh, Interi ndalet te shtylla

Galjardinit i mohon golin shtylla, Manxukiç edhe një herë tjetër vendimtar

Panorama Sport (Albania) - - FAQE 1 - Përgatiti: LEDIO NASE

Një tren që nuk po bën ndalesa, as në situatat ku një e tillë mund të pritet. Nga gushti, përgjatë binarëve të Italisë, është sinjalizuar vetëm një ngadalësim (1-1 me Xhenoan, në 20 tetor). Përtej kësaj vetëm vrapohet, kapen rekorde (43 pikë në 15 javë, primat historik në pesë ligat kryesore europiane, me PSG dhe Sitin). Vagonët bardhezinj nëse nuk shkatërrojnë, kalojnë pengesat: edhe ato që përpiqen të mos shfaqin frikën (e në fakt zikaltrit këtë e bënë). Juventusi mposht 1-0 një Inter që për faza të gjata luan në mënyrë të barabartë dhe e mbyll ndeshjen i vendosur në fushë me skemën 4-2-3-1 me Perisiçin, Keitanë, Lautaron e Ikardin, të gjithë në tapetin e gjelbër, por së bashku grumbullojnë vetëm dy goditje e shtrembra të “Demit”.

ZIKALTRIT SHTYLLË — Mesfusha interiste, ku Spaleti rreshton dy të përjashtuar nga lista e Champions-it (Galjardini e Zhoao Mario), arrin t’i bëjë ballë ritmit të lojës. Interi qarkullon topin, por çdo herë sipas një plani të stërparë: krosim nga vija fundore, i kapur gjithmonë nga Kielini. Herën e parë që zikaltrit arrijnë të gjejnë Ikardin në zonë, pas pasimit të Politanos, Mauro mbron sferën me shpinë nga porta dhe, në versionin “asistman” shërben Galjardinin, i cili hyn në zonë dhe përballë ka vetëm Sheznin dhe portën: e majta diagonale e italianit përfundon, për fatin e keq interist, në shtyllë. Rreziku zgjon Juven dhe ndez sfidën.

BARDHEZINJTË GOL — Moduli 4-3-rrëmujë i Alegrit nis të prodhojë lojë, shihen më shpesh tentativat me kokë të Manxukiçit e Kielinit, por shansin më të mirë e ka Bentankur: do nevojitet një rrëshqitje e Brozoviçit për të evitu-

ar golin. Kanselo, i zhvendosur në të majtë nga Alegri pas 20’, nis të shqetësojë mbrojtën e Spaletit, Ronaldo nis driblimet në seri, nga të cilat gjithsesi Shkrinjar nuk befasohet. Goditja e parë e portugezit (pas një tentative për të replikuar roveshiatën e famshme, këtë herë jo efikase) regjistrohet pas një ore, pas një “dhurate” të Mirandës:

top i fortë, por që përfundon shumë lart traut. Luzitani më i mirë, mbrëmjen e djeshme, do rezultojë Kanselo, ish i sfidës, i cili pas 66’ i shpëton nga sytë Vrsalikos dhe harkon në zonë krosimin fitues: më vendimtari nga kroatët (pavarësisht një paraqitjeje të jashtëzakonshme të Brozoviçit në të dyja fazat e lojës) do jetë Manxukiç, i cili

në shtyllën e dytë i paraprin lëvizjes së Azamoahs, ish-it tjetër, dhe me kokë dërgon topin në rrjetë. Bardhezinjtë mjaftohen me kaq dhe nisin të menaxhojnë pjesën e mbetur të minutave, me mendjen te Jang Bojsat. Edhe Interi do fokusohet tek e radhës: PSVja, të martën (luhet në 21:00), është një etapë akoma më thelbësore e sezonit.

JUVENTUS-INTER 1-0 Manxukiç feston golin e fitores

Goditja me kokë e Manxukiçit që mposhti Interin

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.