Besa i merr pikë Bylisit, Erzeni akuza FSHF-së për Dinamon
"Skuadra blu nuk i ka pikët e saj, por të gjyqtarëve"
Erzeni dhe Dinamo po e vazhdojnë ndeshjen e tyre edhe jashtë fushe. Pas 90 minutave ku shijakasit fituan në fushën e tyre me rezultatin 2-1 ndaj bluve, ishte klubi i Dinamos që reagoi ashpër duke akuzuar drejtuesit e Erzenit se kishin ushtruar presion te gjyqtarët që vendësit të fitonin sfidën. Klubi blu deklaroi se në Shijak u ndien sikur ishte 1997-ta dhe jo 2018-ta. Dje ka ardhur reagimi i ashpër i Erzenit që e konsideron Dinamon një ekip në konflikt të hapur interesi, pasi ka për donator zv.presidentin e federatës.
Reagimi - "Na vjen keq për Dinamon që shprehet kështu sepse është i vetmi ekip i kampionatit shqiptar që nuk i ka pikët e veta, por të gjyqtarëve. Dinamo po prish kampionatin shqiptar me arbitrat që merr me vete. Te Dinamo, donatori është zv.presidenti i FSHF-së. Patjetër që kishte reagime, por me këta gjyqtarë, kampionati shqiptar është shumë i vështirë. Suksese Dinamos, por jo me gjyqtarët, suksesi të jetë vetëm i juaji", thuhet fillimisht në reagimin e klubit shijakas. Ndërkaq, në lidhje me akuzat e bluve dhe atë çfarë ka ndodhur në fushën e "Tofik Jasharit", ka reaguar edhe drejtori i Sporteve në Bashkinë e Shijakut, Astrit Hoxha. Në një prononcim për gazetën "Panorama
Sport", ai shprehet: "Më vjen keq që Dinamo ka mbetur akoma te viti 1997. Dinamo kishte ardhur me skenar për t'i marrë tri pikët në Shijak. Nuk e di çfarë mund të thuash për dy golat që ka shënuar Erzeni. Si mund të ketë pasur ndikim gjyqtari te këto gola kur ishin më se të rregullt. Fitorja e Erzenit është djersa e gjithë lojtarëve dhe qytetit gjithashtu. Dinamo është mësuar t'i marrë pikët në tavolinë dhe jo në fushë dhe i duket çudi që ekipet e tjera e mundin në fushë. Një pyetje kam për drejtuesit e Dinamos. Golat e Erzenit ishin ndikim i gjyqtarit apo rrjedhojë e lojës? Fatkeqësi që nuk kishte një kamer për të filmuar ndeshjen, pasi na janë mohuar dy penallti të pastra dhe na është anuluar edhe një gol i rregullt në pjesën e parë. Mund të them se ishin flagrante. Meqë Dinamo thotë se në Shijak i dukej si 1997ta, i them se në qytetin tonë është 2027-ta. Prita që u rezervojmë miqve është e dhjetë viteve përpara", u shpreh drejtori i Sporteve në Bashkinë e Shijakut, Astrit Hoxha. Ndërkaq, Erzeni është pesë pikë larg Vllaznisë së vendit të parë dhe synon që të vazhdojë garën deri në fund për vendin e parë që e dërgon në Superiore. Pritet që gara të jetë e fortë deri në fund, në një kohë që në ekip do të ketë ndërhyrje gjatë merkatos së janarit, ku do të afrohen disa lojtarë cilësorë që do të fuqizojnë grupin.