Në mesditë shorti, favoritët njihen me rivalët e radhës
Ekipet e kualifikuara nga faza e grupeve të Ligës së Kampioneve do të njihen sot me rivalet në turin pasardhës. Sot, në 12:00, në Nion të Zvicrës do të hidhet shorti teksa rregullorja pengon përballjet mes ekipeve që kanë qenë së bashku në fazën e grupeve ose që vijnë nga i njëjti shtet, ndaj do të jetë e sigurt se nuk do të ketë derbi të Madridit apo Mançesterit dhe as klasike gjermane apo spanjolle.
PËRBALLJET – Për kampionët në fuqi të Realit të Madridit, ashtu si për të gjithë ekipet e vazos së parë, rreziku janë Atletiko e
Madridit dhe Liverpuli, finaliste edicionit të kaluar, teksa shpresa për një short të lehtë kalon nga
Gelsenkirsheni i Shalkes, apo
Ajaksi i Amsterdamit dhe francezët e Olimpikut të Lionit. Te vazoja e dytë thuajse të gjitha ekipet urojnë që shorti t’u rezervojë Porton, me portugezët që, të paktën teorikisht, duken rivali më i lehtë ndër ata që janë kualifikuar si të parë në grupet e tyre. Juventusi është mes favoritëve, por
Alegri do ta evitonte një konfrontim në shkurt me Liverpulin apo Atletikon, ndërkohë që disa ekipe nga vazoja e parë do të duan të shmangin Romën, e cila po kalon një moment negativ, por që nuk është e thënë që ai të zgjasë disa muaj.
LIGA E EUROPËS - Pas 13 ekipeve të kualifikuara që në turin paraardhës, dje siguruan biletat e tyre edhe 11 skuadra të tjera, të cilave u bashkëngjiten edhe 8 ekipe nga vendet e treta të Ligës së Kampioneve. Sot, në orën 13:00, në Nion të Zvicrës, do të hidhet edhe shorti që do të përcaktojë çiftet që të do luajnë fazën e 1/16-ve. Në këtë pikë të kompeticionit nuk lejohen që të përballen ekipet nga të njëjtat shtete ose që kanë qenë në të njëjtat grupe teksa Interi dhe Napoli rrezikojnë të gjejnë skuadra si Gallatasaraj, Fenerbahçe apo Sportingu i Lisbonës.