Panorama Sport (Albania)

Fiorentina dënon Milanin, dridhet stoli i Gatuzos

Gatuzo vijon "shpikjet" me formacioni­n, talenti vjollcë e dërgon "Djallin" në ferr

- Përgatiti: REINOLD BAKALLI

Krishtlind­jet për Mi lanin nuk do të jenë fort të lumtura, sepse përveç disfatës ndaj Fiorentinë­s, "Djalli" humb edhe vendin e katërt në renditje. Kuqezinjtë e fashuar, por edhe konfuzë bien në shtëpi, duke regjistrua­r mbase pikën më të ulët sezonale. Në "San Siro" u mbyll 1 me 0 në favor të Fiorentinë­s, e cila kalon momentin negativ falë edhe një supergoli të Federiko Kiezës.

ÇALHA SHPËRDORON

Më shumë se 50 mijë tifozë mbushën stadiumin për të ndihmuar skuadrën e Gatuzos, e cila zbriste në fushe me një mesfushë të sajuar, me një rezervë, një mbrojtës dhe një fantazist, teksa në stol qëndronte një regjisor me përvojë si Montolivo. Pjesa e parë ofron më shumë dëshirë dhe saktësi, ekipet impenjohen, por mungon pasimi vendimtar në 20 metrat e fundit. Ndonjë rast në 45 minutat e para Milani e ka e të gjitha vijnë nga këmbët e Hakan Çalhanoglu­së, që megjithëse provon me forcë nga larg dhe me saktësi në zonë, në asnjë rast nuk ka sukses. Në njërin nga rastet arrin edhe të mposhtë portierin mik, por Milenkoviç largon mbi vijën fatale. Në bilanc është edhe një silurë e Rodrigez, por Lafont grushton mrekullues­hëm.

PIPITA "THATË"

4-3-3-shi i propozuar dje nga Gatuzo duhej t'i përshtatej më mirë Gonzalo Higuainit, që në Milano po kalon një krizë identiteti. Në krahët e argjentina­sit dy spanjollë, me Suson më pak brilant se zakonisht dhe Kastijehon e rrëmujshëm. Sytë e të gjithëve janë mbi "Pipita"-n, por bomberi vazhdon "agjërimin" e golit dhe dje regjistroi ndeshjen e tetë, ku nuk arrin të gjejë rrugën e rrjetës. Pas çdo vrapimi Gonzalo hap muskujt, një sinjal i qartë që edhe fizikisht nuk po kalon një moment ideal. Fiorentina sulmon me Simeonen e Mirajas, por edhe nga sulmi vjollcë nuk vijnë sinjale pozitive, ndaj 0-0 me të cilin përfundon pjesa e parë duket tejet logjik.

VENDOS KIEZA

Higuain jep një shkëndijë shpresë në fillimin e fraksionit të dytë, teksa kuqezinjtë kalojnë te "familjari" 4-4-2. Gatuzo largon çuditërish­t më të mirin në fushë, Maurin, dhe i beson mesin Kalabrias dhe Çalhanoglu­së, me idenë se aktivizimi i Kutrones mund të "shkundë" ekipin. Jashtë edhe Kastijeho, në vend të të cilit futet Laksalt, teksa Montolivo shikon i heshtur nga pankina. Vetëm pak minuta dhe Fiorentina gjen golin me Kiezën, që ndëshkon nga distanca Donarumën, i cili nuk mund të bëjë asgjë. "Djalli", përveç golit, pëson edhe një goditje psikologji­ke. Në 20 minutat e mbetura rrezikon vetëm një herë me Rodrigez, por Lafont tregon arsyen përse ka mbi vete sytë e gjysmës së Europës. Për ta bërë më pak të hidhur pasditen kuqezi, shërben aktivizimi në pesë minutat e fundit i Andrea Kontit, i cili nuk luante një ndeshje zyrtare që prej gushtit të 2017-ës.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania