Partizani merr mbrojtës, por ka krisje për merkaton
Të kuqtë shkëlqejnë në barazimin 1-1 me Antaliasporin, Gega: Ekipi më mahniti
Firmos kosovari Lum Rexhepi, negociata edhe me dy të tjerë për sulmin. Ndërhyrje pa fund dhe Dervishi si hije, zbardhen prapaskenat
Partizani nuk fiton, por ama shkëlqen me lojë në përballjen ndaj skuadrës së Superligës turke, Antaliaspor. Të kuqtë barazuan sërish 1-1, ashtu si ndaj Sivasporit tri ditë më parë, por këtë herë loja e “demave” ka qenë mbresë-lënëse, veçanërisht në pjesën e dytë. Një mori rastesh për shënim, aksione me një rrjedhë logjike dhe lojtarë që tregojnë formë të mirë, duke dhënë garanci për startin e fazës së tretë. Trajneri Skënder Gega kishte menduar dje të hidhte në fushë fillimisht të gjithë lojtarët që kanë pasur më pak hapësira, e më pas “artileria” e rëndë të aktivizohej në 45 minutat e dyta. Gega provoi në krahun e djathtë të mbrojtjes për herë të parë si titullar Besnik Feratin, një 18vjeçar që është pjesë e Kombëtares U-19 të Maqedonisë. Në mesfushë luajtën të rinjtë Kodra dhe Kote, por gjithashtu afrimet e fundit, Hyseni dhe Jusufi. Ky i fundit u vendos në majën e sulmit. Pas një goditjeje befasuese nga jashtë zone, të kuqtë shokohen në minutën e 2-të nga mesfushori i Antaliasporit, Shinik. Më pas është Çinari që tenton të barazojë nga një goditje dënimi, por pret portieri turk. Loja u balancua ndjeshëm, ndërsa rastin më të mirë e shpërdoroi Jusufi, i cili i vetëm me portierin nuk arriti të shënojë. Të kuqtë shtuan presionin, por pjesa e parë u mbyll 1-0 për turqit. Në 45 minutat e dyta ishte një histori tjetër, teksa Gega hodhi në fushë titullarët, të cilët dominuan totalisht. Që në start një asist perfekt në zonë i Asanit kthehet në gol nga Jurgen Bardhi, që iu vidhet bukur mbrojtësve dhe barazon shifrat. Për fantazistin që po luan në majën e sulmit të “demave”, ky gol vinte pas tre muajsh “agjërim”, teksa për herë të fundit kishte shënuar në kampionat më 11 nëntor ndaj Laçit, duke i dhënë fitoren ekipit. “Demat” kanë qenë disa herë pranë golit të dytë, por shpërdoruan shumë raste. Trashi ka qenë i papërmbajtshëm në të majtë, ndërsa në formë të mirë ishin edhe Mala e Asani. Deri në fund, pavarësisht përpjekjeve të të kuqve, takimi u mbyll në barazim.