Panorama Sport (Albania)

Shehi: Na duhen patjetër mesfushorë

-

Trajneri i Skënderbeu­t, Orges Shehi, u shfaq i kënaqur pas ndeshjes së djeshme, teksa theksoi për "Panorama Sport" se skuadra ka rritje në lojë. Mirëpo, ai është i shqetësuar për dëmtimet e shumta, ndërsa bëri të ditur se ekipi ka nevojë për përforcime urgjente në mesfushë. "Është e dukshme që kemi rritje çdo ditë që kalon në aspektin e lojës. Në pjesën e parë u aktivizua grupi i lojtarëve që presim të ketë peshën më të madhe të kampionati­t dhe në pjesën e dytë krijuam mundësinë për të gjithë lojtarët që kishim të gatshëm. Jam i kënaqur nga të gjithë dhe them që ishte një test shumë i rëndësishë­m e pozitiv njëkohësis­ht. Gjithsesi, kemi ende rrugë përpara dhe duhet akoma më shumë punë nga të gjithë", deklaroi Shehi, i cili komentoi edhe afrimin e Elmir Asanit. "Më vjen mirë që gjeti rrugën e rrjetës që në debutim. Është një lojtar i afruar prej dy ditësh në radhët tona dhe jo më kot i dhashë mundësi nga minuta e parë. Çfarë ne kërkojmë, mendoj se ai i plotëson dhe i ka të gjitha cilësitë e duhura. Në këtë moment kemi shumë mungesa dhe për këtë jemi të vetëdijshë­m të gjithë. Ne jemi një skuadër që patjetër po kërkojmë të përforcohe­mi në mesfushë, sepse momentalis­ht kemi vetëm tre lojtarë në dispozicio­n për atë repart. Sa u përket emrave konkretë, nuk di të them pa i parë në fushë dhe nën urdhrat e mi. Kemi disa opsione dhe po punojmë për të bërë goditjen e duhur", sqaroi trajneri, i cili në fund foli edhe për dëmtimet e shumta. "Në këtë fazë po na ndjekin dëmtimet dhe fati keq. Këtë herë e pësoi Lulaj dhe me aq sa pashë, ka një dëmtim serioz. Do të mungojë të paktën për tri javë", përfundoi numri një i pankinës korçare.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania