Interi e kthen Kupën e Italisë në festival golash

Ikardi shënon pas vetëm 3', dopieta të Lautaros dhe Kandrevës. Shënon edhe Dalbert

Panorama Sport (Albania) - - FAQE 1 - Përgatiti: LEDIO NASE

Tetë gola në "heshtje": rreth 500 të pran ishëm në "San Siro" mes tribunës për shtyp dhe asaj qendrore, pasi Interi duhet të shlyejë dy ndeshje skualifikim me dyer të mbyllura pas koreve në sfidën kundër Napolit. 1/8-at mes zikaltërve dhe Beneventos zgjasin "vetëm" 7 minuta: Ikardi hap serinë e golave për 2019-ën, Kandreva mbyll "festivalin" (6 rrjeta në total: shënojnë edhe Dalbert dhe Lautaro Martinez). Spaleti nis vitin i qetë: Interi kalon pa shumë probleme verdhekuqtë dhe në çerekfinale do presë Lacion.

VRULL INTERIST - Në debutimin sezonal të Kupës, zikaltërve u nevojitet pak kohë për të larguar "fantazmat" (ose e thënë ndryshe vështirësitë) e Pordenones, që sezonin e kaluar i kishte detyruar të kualifikoheshin vetëm falë penalltive pas baraspeshës në 120'. Mauro Ikardi zhbllokon rezultatin pas vetëm 3 minutash lojë pas një penalltie të fituar nga Kandreva: kapiteni godet fort në këndin e portës, pa i dhënë asnjë shans portierit Montipo. Miqtë tentojnë të reagojnë dhe u afrohen golit në të 5-ën me një inkursion në zonë të Di Kiarës, por tentativa ndalet nga Padeli. Megjithatë, 2' më pas Kandreva dyfishon shifrat për Interin: pas një goditjeje këndi të ekzekutuar nga Perisiç, Ikardi godet shtyllën, por topin e kthyer e shfrytëzon mesfushori italian (që në "San Siro" nuk shënonte nga prilli i 2017ës kundër Milanit), i cili tokazi gjen rrjetën. Këtu sfida nis të marrë dishezën për vendësit. Skuadra e Luçiano Spaletit tregohet e "pashpirt" dhe në të 46ën i jep Beneventos një goditje të fortë: Perisiç shërben Dalbertin, braziliani gjen kohën e duhur dhe me një "silur" dërgon sferën në trekëndëshin e portës mike (goli i parë për mbrojtësin me fanellën interiste, në prezencën numër 20). Pjesa e parë mbyllet me një minirrezik që tremb jo pak zikaltrit, por Padeli gjendet i gatshëm dhe i mohon festën Bonaiutos.

DOPIO LAUTARO - I njëjti "skenar" i minutave të para të sfidës përsëritet edhe me rikthimin e skuadrave në fushë: sepse sërish pas 3' nga starti (në të 48-ën), po ashtu si Ikardi në fraksionin e parë (kapiteni megjithatë nuk rikthehet në fushë, pasi Spaleti e lë në dhomat e zhveshjes: e zëvendëson Politano), Lautaro Martinez, zhvendoset në qendër të sulmit, finalizon me kokë pa shumë probleme një kundërsulm të "orkestruar" nga Perisiç. Insinje në krahun

tjetër ngushton diferencën, në të 58-ën (me goditje dënimi), duke konfirmuar rezistencën (që në fund, megjithatë, do rezultojë e padobishme) të Beneventos. Por, nuk ka mbaruar. Pasi Interi "përgjigjet" me dy gola të tjerë: për të pestin sërish Perisiç shërben po Lautaro dhe ky i fundit as këtë herë nuk fal, duke dërguar topin në këndin e poshtëm të portës; të

gjashtin e firmos Kandreva (pra, dopietë për italianin), disa sekonda përpara vërshëllimës së fundit arbitrit. Në mes, skuadra e Bokit shënoi të dytin (në të 74-ën, me Bandinelin). Pa duartrokitje, Interi "likuidon" Beneventon dhe të shtunën do presë Sasuolon, ku "San Siro" do jetë më pak i heshtur falë fëmijëve që do "zëvendësojnë" spektatorët pagues.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.