Flet Bogdani: Shqipëria s'ka bomber, Panuçi si De Biazi në start

‘Kombëtarja vuan mosaktivizimin e lojtarëve, nuk shënon se..’

Panorama Sport (Albania) - - FAQE 1 - OLSI TUJANI

Karrierë prej bomb eri në Itali dhe kryegolashënuesi i Kombëtares. Kush më mirë se Erjon Bogdani mund të komentojë mungesën e golit në Kombëtare. Ish-trajneri i Kombëtares U-19, në një intervistë për “Panorama Sport”, komenton vendimin për t’i dhënë një tjetër shans Panuçit, krahason Kombëtaren aktuale me startin e De Biazit në vendin tonë si dhe ngre alarmin për Kombëtaret e moshave.

Si u larguat nga Kombëtarja U-19, ishte shkarkim apo dorëheqje?

Nuk mund të them nëse ishte shkarkim apo dorëheqje, pasi sipas meje ishte një cikël i mbyllur. Pas dy vitesh, edhe unë kisha dëshirë për një skuadër që të kem mundësinë ta stërvit çdo ditë. Pastaj, me ardhjen e Xhemos (Xhemal Mustedanagiç) gjërat ndryshuan.

Në ç’kuptim, çfarë ndryshoi?

Ai dëshironte që të gjithë trajnerët e Kombëtareve t’i kishte në Tiranë dhe të paraqiteshin përditë në federatë. Gjë, e cila për mua ishte e pamundur. Gjithsesi, jo vetëm kjo, por dua tjetër eksperiencë.

Dy vite pa asnjë fitore në ndeshje zyrtare, çfarë nuk shkoi?

Analiza ime është se kemi luajtur në mënyrë të barabartë me ekipe të forta. Kemi pasur dy herë përballë Ukrainën dhe dy herë Norvegjinë. Këtë vit kishim edhe Sllovakinë, një ekip i fortë. Ajo që nuk shkoi, ishte fakti që edhe pse krijuam shumë lojë dhe raste, nuk i konkretizuam. Ukraina dhe Norvegjia zunë vendin e tretë dhe të pestë në Europë. Janë shumë të forta dhe e demonstruan me fitoret kundër Anglisë dhe Gjermanisë.

Kosova si Kombëtare, sa vështirë bëhet për Shqipërinë në përzgjedhje?

Normalisht që bëhet e vështirë dhe këtë gjë ne duhet ta kishim menduar më përpara. Me sa kam parë, tek U-17 dhe U-19, Kosova ka diçka më shumë sesa ne.

Çfarë strategjie duhet ndjekur dhe si duhet të veprojë FSHF-ja?

Për strategji është shumë e vështirë të flasim. Për sa kohë isha pjesë e Kombëtares, mund të them se

kishte nevojë që të punojmë dhe forcojmë shumë kampionatin e të rinjve, sepse nuk e kemi shumë të fortë. Gjithashtu, lojtarët e Kombëtares U-19 përgjithësisht janë pjesë e skuadrave të para në kampionatet e tyre, por te ne nuk ndodhte kjo gjë, ndaj kryesor sipas meje mbetet kampionati vendës.

A dështoi Shqipëria në Ligën e Kombeve, si një ekip që ishte në Europian dhe u rendit e fundit me skuadra të barabarta për nga niveli?

Unë e prisja një rënie të Kombëtares pas Europianit,

pasi kishte njëfarë rinovimi dhe shumë lojtarë i kemi pasur të dëmtuar. Mund të kishim bërë ndonjë ndeshje më mirë apo ndonjë pikë më shumë. Sipas meje nuk mund të thuhet dështim, pasi ishin ekipe të forta. Skocia më impresionoi, pasi edhe të rinjtë i ka lojtarë të rëndësishëm në Europë, sidomos Angli. Ishte shumë e fortë dhe meritoi të fitonte grupin.

Pse shënon kaq pak Kombëtarja? Mos vallë është edhe çështje cilësie sepse më parë ju ishit në Serinë A, por tani sulmuesit luajnë

në kampionate jo kaq të forta?

Goli nuk është vetëm problem i Shqipërisë, pasi e kishte edhe Italia. Gjithsesi, fakti që shënojmë pak vjen edhe nga forma e lojtarëve. Sidomos, në vitet e fundit kemi pasur lojtarë që nuk kanë luajtur shumë apo që kanë hasur probleme me skuadrat e tyre. Si Balaj, Sadiku apo edhe Cikalleshi nuk është se kanë pasur formën optimale dhe, duke mos luajtur sa duhet në ekipet e tyre, bëhet shumë e vështirë të japësh maksimumin në një ndeshje me Kombëtaren.

Mund të zgjidhej manovër më efikase?

Nuk mendoj se është faji i lojës, nëse kemi qenë apo jo sulmues sa duhet. Ne kemi pasur raste për shënim, sidomos në Izrael me momente shumë të pastra shënimi, apo edhe me Skocinë. Sikundër në Kombëtaren A, unë e kam pranuar vështirësinë për të shënuar edhe tek U-19, pasi kemi humbur raste. Kjo është loja dhe ne nuk kemi një bomber, ndaj nëse nuk shënon kur të jepet rasti, mund të barazosh apo të humbësh.

Situata e Panuçit ishte në fillim me një klimë mosbesimi deri në prag shkarkimi, pastaj presidenti i FSHF-së e rikonfirmoi...

Është vendim që mund ta ndërmarrë vetëm presidenti i federatës. Megjithatë, për mendimin tim, nuk duhet gjykuar vetëm rezultati në Ligën e Kombeve, por edhe gjendja në të cilën është ekipi. Sipas meje, nuk është faji i Panuçit nëse shumë lojtarë nuk luajnë me ekipet e tyre. Ky është fakt dhe të qëndrojmë me këmbë në tokë.

Çfarë doni të thoni me këtë, që duhet të ulim pretendimet?

Me përjashtim të Strakoshës apo edhe Berishës që ka nisur të luajë rregullisht dhe jemi ndër të paktat kombëtare me dy portierë cilësorë, pjesa tjetër e formacionit nuk ka minuta dhe ka pasur shumë oscilacione në skuadrat respektive. Kjo gjë e bën shumë të vështirë në Kombëtare që të marrësh rezultate apo t’u përmbahesh atyre objektivave që janë deklaruar në fillim nga trajneri.

Po ju pyes direkt, jeni pro apo kundër vazhdimësisë së Panuçit?

Për mendimin tim, presidenti bëri mirë që i dha besim. E them këtë, sepse faktikisht edhe në dy vitet e para me De Biazin nuk është se kemi ecur mirë. Por, Panuçi do ta ketë të vështirë në vijim, pasi duhet që Shqipëria të marrë pikët. Llogaritë bëhen në një grup që nuk është shumë i vështirë, por as shumë i lehtë. Janë skuadra që duhet ta demonstrosh jo vetëm me fjalë, por me lojë se mund t’i marrësh pikët.

Shqipëria ka më shumë apo më pak shanse se në 2016-ën për Europianin?

Nuk mund të thuhet me fjalë, pasi duhet të shohim si do të ecë ekipi. Duhet parë në lojë. Unë e shikoj të vështirë, sepse edhe Turqia është ekip në rritje. Islanda, përveç Europianit, mori pjesë edhe në Botëror. Franca nuk diskutohet që është pretendente kryesore. Por, janë edhe dy ekipe, që pavarësisht se në letër nuk janë të forta, Shqipëria duhet t’i mundë nëse ka dëshirë që të kualifikohet. Pastaj duhet parë çfarë mund të ndodhë nëse merr pikët maksimale ndaj tyre dhe nëse do të arrijë që të luftojë fort ndaj Turqisë dhe Islandës.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.