Dibala: Dua Champions-in dhe Pogbanë

"Ronaldo dhe Mesi më të mirët në botë, pasardhësit e tyre do të jenë Nejmar e Mbape"

Panorama Sport (Albania) - - FAQE 1 - Përgatiti: JETON STAMOLLA

Një Paulo Dibala në të gjithë fushën... Numri 10 i Juventusit, në një intervistë të dhënë për televizionin francez, "Telefoot", i është përgjigjur pyetjeve lidhur me interesimin e bardhezinjve për një rikthim të Pol Pogbasë në Torino, por në të njëjtën kohë me objektivat e argjentinasit për këtë sezon. "Pogba te Juventusi? Të gjithë i njohin cilësitë e Polit dhe në të njëjtën kohë edhe miqësinë e fortë që unë kam me atë. Por duke lënë menjanë këtë argument të fundit, unë di të them se kush do të ishte ai që nuk do të donte të kishte një kampion të kalibrit të Pogbasë në skuadër. Prandaj, nëse do të isha president i Juves do ta blija, por nuk vendos unë. Të shohim se çfarë do të ndodhë në të ardhmen, por ndërkohë i uroj më të mirat. Matuidi? I them gjithmonë: 'Ti ke tri mushkëri, nuk je njerëzor', sepse vrapon gjithmonë pa pushim dhe luan çdo ndeshje. Për mua është pa dyshim një ndër më të fortët në botë në rolin e tij", bën hyrjen Paulo Dibala. OBJEKTIVI CHAMPIONS

Dhe duke dalë nga tema e "shtëpisë" transalpine, argjentinasi spostohet tek objektivat sezonalë që synon të arrijë me Juventusin, ku pa dyshim kryefjala është Liga e Kampioneve: "Champions-i është ëndrra jonë dhe e të gjithë tifozëve bardhezinj. Do të bëjmë të pamundurën për ta sjellë në shtëpi këtë trofe, por sigurisht pa harruar jemi të detyruar që të sjellim në shtëpi edhe trofetë e tjerë për të cilët jemi në garë, Superkupën, kampionatin dhe Kupën e Italisë. Atletiko? Do të jetë një kundërshtar i fortë dhe mendoj se së bashku me Liverpulin ishin dy skuadrat më të frikshme që mund të gjenim përballë në short. Fatkeqësisht nuk patëm shumë fat në 1/8-at, por në Champions, nëse kërkon të fitosh duhet të më të fortët dhe ne do të jemi gati për këtë dopio përballje me Atletikon. Do të jetë e vështirë të luash ndaj tyre, por ne jemi të fortë dhe jemi mes favoritëve për të fituar Ligën e Kampioneve". CR7, MESI, NEJMAR...

Sivjet ka festuar 25-vjetorin e tij, moshën e pjekurisë totale si futbollist dhe pa dyshim që Paulo Dibala do të kërkojë që ta tregojë në fushë këtë aspekt. Rritja e tij vazhdon, madje trajneri i Juves, Masimiliano Alegri, është i bindur se tashmë numri 10 mund të bëjë më shumë sesa thjesht sulmuesin në fushë, aq sa prej dy muajsh i ka dhënë detyrën e lojtarit universal, atij që duhet të ndërtojë lojë për Ronaldon me shokë. "Me kalimin

e viteve ndihem gjithmonë e më i pjekur sportivisht, falë edhe punës së bërë me kampionë të mëdhenj te Juventusi. Një prej tyre është Ronaldo. Të gjithë e dimë sesa i rëndësishëm është Kristiano për ne dhe çfarë do të thotë për secilin prej rivalëve tanë që do ta gjejnë përpara. CR7 është një shembull, sepse jep gjithçka mban trupi i tij edhe në stërvitjen

më të thjeshtë. Ai dhe Lionel Mesi nuk ka dyshime se janë më të mirët në qarkullim. Unë kam fatin t'i shijoj, t'i studioj dhe të mësoj prej të dyve, Kristianon te Juventusi dhe Leon te Argjentina. Kam nisur t'i njoh, janë dy personalitete të ndryshme, por kanë një peshë specifike në të dyja skuadrat respektive. Dhe kjo sepse

kanë cilësitë për të vendosur të vetëm ndeshjet. Pasardhësi i tyre është Nejmari, një që bën gjëra madhështore sa herë që e shoh dhe nuk habit së më surprizuari. Por edhe Mbape është në këto nivele, një talent absolut, një i destinuar për të lënë gjurmë, sepse jo më kot fitoi edhe si protagonist Kupën e Botës me Francën", përfundoi Dibala.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.