Fangaj: Europën e kapim, dua një aventurë jashtë Shqipërisë

Flet mbrojtësi shkodran i skuadrës kurbinase

Panorama Sport (Albania) - - KATEGORIA SUPERIORE -

Abdurrahman Fangaj kërkon të bëjë hapin e madh jashtë Shqipërisë. Lojtari i Laçit, në një prononcim për “SuperSport”, flet për fazën përgatitore të janarit. “Duhet ta vazhdoj punën që kam bërë deri tani. Duhet ta rris performancën time. Besoj se ekipi ka shkuar mjaft mirë dhe shpresoj t’i arrijmë objektivat në fund të sezonit”, është shprehur lojtari i kurbinasve. Fangaj preku edhe objektivat e tij për këtë sezon dhe çfarë presin në Kurbin. “Laçi ka krijuar një traditë, të shkojë në Europë nëpërmjet Kupës ose kampionatit. Kështu që edhe këtë sezon ne do të përpiqemi që të jemi sa më solidë dhe të kemi rezultate pozitive në të dyja kompeticionet, ndonëse edhe vetë e kemi të qartë se nuk do të jetë e lehtë, sepse në këtë pjesë të kampionatit edhe konkurrenca është e madhe”, ka thënë më tej futbollisti i Laçit. Nuk kishte si të mos prekej tema e Kombëtares, që për shkodranin është e shenjtë. Mbrojtësi i majtë ka luajtur me Shpresat U-21 dhe ai kërkon më shumë nga vetja. “Pse jo, ëndrra e çdo futbollisti është të arrijë kombëtaren dhe të luajë në një skuadër më të fortë jashtë Shqipërisë”, tha Fangaj. Nga ana tjetër, po për “SuperSport”, Ndriçim Shtubina flet për sezonin e tij te Laçi. “Jam mësuar me shumë trajnerë dhe kam marrëdhënie të mira me të gjithë. Bëj punën e duhur në fushë dhe i respektoj trajnerët me punën time. Në futbolli asnjëherë nuk duhet të dorëzohesh, por të vazhdosh përpara. Kam diçka pozitive, luaj në shumë pozicione në fushë. Kjo është gjë e mirë për mua, sepse për çdo vend që hapet në formacion jam i gatshëm. Kemi zhvilluar dy faza deri diku të mira, por kemi mundësi për më shumë. Në përgjithësi, është grupi që bën diferencën. Çdo skuadër kërkon përforcime dhe me këtë problem merren drejtuesit. Unë do të thosha se çdo futbollist është i mirëpritur te Laçi. Me punë dhe djersë ata mund ta arrijnë formacionin”, është shprehur Shtubina.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.