Panorama Sport (Albania)

“Inter, thuaji mirupafshi­m Ikardit dhe bli Higuainin”

"Gonzalo nuk shërbehet siç duhet, ndaj kërkon të ikë"

- Përgatiti: JETON STAMOLLA

Antonio Kasano mbetet gjithmonë Antonio Kasano. Pa frena, simpatik, i sinqertë. Largësia nga futbolli i luajtur nuk ia ka ndryshuar humorin "rebelit" nga Bari dhe jo më kot, audienca është e gjitha për të kur ai vendos të flasë, pasi nuk ka ndërmend që ta kafshojë gjuhën për askënd. I ftuar në "Sunday Morning", emision i rrjetit "Sky Sport 24", 36-vjeçari preku shumë tema, nga goli i paharruesh­ëm ndaj Interit deri te mundësia e largimit të Higuainit e Ikardit nga Milano.

Antonio, Higuain bën mirë që kërkon të transferoh­et te Çelsi?

Për mua është një çmenduri të shesësh Higuainin, i vetmi lojtar që mban era futboll te Milani, i vetmi kampion që kjo skuadër ka. Ai është një nga sulmuesit më të fortë në botë dhe unë nuk do ta shisja kurrë. Nëse Milani kërkon të rikthehet te fitoret, ai duhet të jetë baza e projektit. Duhet të ndërtojnë një skuadër me lojtarë të fortë rreth tij. Me gjithë respektin, por nëse Higuain është në vështirësi te Milani, kjo ndodh për faktin se askush nuk di ta shërbejë Gonzalon. Ai lëviz në mënyrë perfekte në fushë, por asnjë nuk di t'i japë topin e duhur. Për këtë arsye, "Pipita" kërkon që të shkojë te Çelsi. Mos harrojmë, po flasim për një që ka luajtur 7 vite te Reali i Madridit dhe një arsye do të ketë pasur besoj...

Çfarë këshille do t'i jepnit Higuainit në këtë moment?

Po të varej nga unë, do ta merrja dhe do ta dërgoja tek Interi në vend të Mauro Ikardit. Higuain është një superkampi­on, një superbombe­r. Duke qenë se Ikardi kërkon të largohet, por të isha si drejtuesit e Interit, do t'i thosha: "Mauro, faleminder­it dhe mund të zgjedhësh skuadrën e ardhshme". Për mua është e lehtë...

Keni luajtur me Higuainin te Reali i Madridit. Çfarë kujtimi keni?

Po, kemi qenë në një ekip, edhe pse më pas mua më lanë jashtë skuadrës. Kemi luajtur një derbi Real-Atletiko. E dërgova me një asist Higuainin para portës dhe barazuam 11, duke fituar titullin dy javë përpara fundit. Një si ai mjafton ta nxjerrësh para portës ose ta furnizosh në mënyrën e duhur. Arrin gjithmonë të shënojë dhe të bëjë diferencën. Tani ka disa vështirësi, por nuk është i mbaruar.

Si e vlerësoni punën e Gatuzos te Milani?

Gatuzo po bën një mrekulli te Milani. Me këtë ekip arriti të kualifikoh­ej në Ligën e Europës sezonin e kaluar. Tani do të luajë Superkupën e Italisë kundër Juventusit. Pa pasur në skuadër lojtarë të rëndësishë­m, as Zoti nuk do të arrinte të bënte punën e Gatuzos.

U bëtë i famshëm në Bari, pas atij goli spektakola­r kundër Interit. Çfarë menduat në ato momente?

Deri në momentin e golit mendoja: "Eninaja po bëhet i famshëm dhe është moshatari im, ndërsa unë nuk kam arritur të shënoj akoma, edhe pse kam bërë një ndeshje të madhe". Fati deshi që Perrota të bënte pasimin e vetëm të gjatë perfekt në karrierën e tij, më pas unë bëra pjesën tjetër (qesh)...

Mirë goli kundër Interit, po ndeshja më e paharruesh­me, cila ka qenë?

Do zgjidhja fitoren 2-1 kundër Gjermanisë në Europianin 2012. Në atë takim luajta 60 minuta të jashtëzako­nshme, pas operacioni­t në zemër kundër një ekipi të madh, që në 2014-ën do të shpallej kampion bote. Një tjetër ndeshje e madhe për mua ka qenë edhe Inter-Totenhem.

Çfarë mendoni për Barelan, një tjetër talent që po rrit futbolli italian?

Fatkeqësis­ht, futbolli po shkon në një rrugë të gabuar. Kur dëgjoj që ofrojnë 50 milionë euro për Barelan?! Dakord, atëherë sa duhet të vlejë Tiago Alkantara (mesfushori i Bajernit)?! Edhe ai është i ri, është 27 vjeç, por jam i bindur kur them se Tiago vlen të paktën 4-5 herë më shumë se Barela. Sot, mjafton që një lojtar bën dy ndeshje të mira dhe më pas vlen 50, 60, 70 milionë euro. Për mua është një çmenduri. Sepse nuk do doja të mendoja më pas se sa duhet të vlenin Iniesta, Ksavi apo Toti. Ah se harrova... Mos gaboj edhe PSGja ka ofruar 80 milionë euro për Alanin e Napolit. Nëse De Laurentis do, ia dërgoj unë për dore deri në Paris...

Do ta rishohim Kasanon në botën e futbollit?

Do të më pëlqente të kthehesha, pse jo nga sezoni i ardhshëm, ndoshta si vëzhgues ose drejtor sportiv.

Një ëndërr prej tifozi e Kasanos?

Të shikoj Mesin të fitojë një trofe me kombëtaren. Ai është gjeniu i futbollit. Kristiano Ronaldo është një atlet absolut, një makineri perfekte, por Leo ka një bagazh teknik të paarritshë­m për askënd. Ndoshta, nëse do të kisha pasur kokën e duhur, ndoshta vetëm unë mund të kisha kapur nivelet e Mesit. Por, siç ka thënë dhe përsëritur shpesh Toti, "Kasano ka treguar vetëm 50 për qind të bagazhit të tij". Dhe Françesko ka të drejtë, sepse mua nuk më pëlqenin stërvitjet, por edhe me pak, arrita të luaja në klubet më të forta të botës.

 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania