Gega, Smajlaj dhe Burraj, Shqipëria “lumë” medaljesh
Luiza: E lumtur për çmimin, tashmë synoj Europianin
Dje në Stamboll të Turqisë u zhvillua Kampionati Ballkanik i atletikës në salla të mbyllura për të rritur, ku merr pjesë edhe Shqipëria. Ky kompeticion rezultoi shumë i suksesshëm për sportistët tanë, të cilët arritën të marrin tri medalje. Luiza Gega u ngjit në shkallën më të lartë të podiumit, duke fituar medaljen e artë në garën e 3000 metrave. Gega triumfoi duke dominuar plotësisht një garë, ku kundërshtaret e saj e kishin të pamundur për t'i qëndruar pranë, mjafton të shikojmë vendin e dytë që e përfundoi garën plot 20 sekonda pas Luiza Gegës, duke regjistruar kohën 8'56"04, madje në xhiron e tetë Gega arriti të kalojë për herë të dytë një rivale dhe në xhiron e 10-të kaloi edhe një tjetër kundërshtare. Kjo ishte medalja e gjashtë e artë për atleten kuqezi, në po kaq pjesëmarrje në ballkaniadat e sallave të mbyllura, duke treguar edhe një herë që nuk njeh rivale në rajon. Një paraqitje mjaft të mirë bëri edhe shkodrani Izmir Smajlaj në kërcim së gjati. Ai kërceu 7.70 metra, duke fituar medaljen e argjendit. Megjithatë, ky rezultat është shumë larg nga rekordi personal për Smajlajn, që është 8.08 metra dhe kjo garë për të ishte më shumë si një test para Europianit të Skocisë. Rezultat pozitiv regjistroi edhe Franko Burraj, duke fituar medaljen e bronzit në garën e 400 metrave. Burraj dha kohën 47"76 duke vendosur një rekord të ri kombëtar në këtë disiplinë dhe konfirmohet edhe një herë si një sportist mjaft premtues. E kontaktuar nga "Panorama Sport", Luiza Gega e komentoi kështu medaljen e artë, që është e para për këtë vit: "Nuk është surprizë për mua kjo medalje. Në 6 pjesëmarrje në Ballkaniadën e sallave të mbyllura kam marrë 6 medalje të arta. Sigurisht që çdo garë ka emocionet e veta dhe unë jam përgatitur shumë për të qenë në formën time më të mirë. Vij nga një grumbullim 5-javor dhe si test të parë kisha vendosur këtë event. Në fakt, pata shkëputje që në metrat e para me kundërshtaret dhe kjo ma vështirësoi garën pa masë për të pasur rezultat më të lartë, pasi gjatë gjithë kohës kam garuar vetëm. Ky ishte një test për mua, i kërkuar nga trajneri dhe tashmë objektiv kam Europianin në Gllazgou, ku shpresoj të renditem në 5 vendet e para. Ndihem e lumtur që vazhdoj ta mbaj titullin e Kampiones së Ballkanit, ku për fare pak mund të thyeja edhe rekordin e garës së 3000 metrave në këtë kompetcion, ndonëse specialiteti im është 3000 metra me pengesa", tha Gega, e cila mban rekordin e Ballkaniadës në 1500 metra me kohën 4'06"89.