Milan, 100 milionë euro për Garet Bejl
Pas largimit të Kristiano Ronaldos nga Reali i Madridit, pesha e golave te madrilenët ka rënë mbi Karim Benzemanë dhe Garet Bejl. Uellsiani është i preferuari i presidenti Florentino Perez, i cili vështirë se do ta lejojë të largohet, por sipas mediave spanjolle ditët e Bejl në kryeqytetin spanjoll janë drejt fundit. Për largimin, shkaktari mund të jetë Milani. Kuqezinjtë do të kërkojnë një yll në rast se arrijnë të kualifikohen në Ligën e Kampionëve dhe me sa duket janë të gatshëm të paguajnë 100 milionë euro për të marrë pronësinë e kartonit të 29vjeçarit. Mëngjarashi në fakt do të mbushë 30 vjeç në korrik dhe duket disi e vështirë që "Djalli" të bëjë një sforco ekonomike për një lojtar me këtë moshë. Në këtë kontekst administratori Ivan Gazidhis refuzoi afrimin e Zlatan Ibrahimoviçit në merkaton e janarit, afat kohor gjatë të cilit likuidoi edhe Gonzalo Higuainin duke e lejuar të largohet te Çelsi pavarësisht kontratës që kishte në fuqi. Nëse Garet Bejl do të ketë në plan të largohet në përfundim të sezonit, Milani do të luajë letrat e tij. Leonardo dhe Maldini prej kohësh kërkojnë një anësor ofensiv dhe uellsiani do të ishte ideali, pavarësisht se deri në këtë pikë të sezonit ka shënuar vetëm gjashtë herë. Mosha dhe paga e lartë janë dy pengesa të konsiderueshme, sidomos duke pasur parasysh se Bejl në Madrid arkëton 17 milionë euro në sezon. Kontrata e tij skadon në vitin 2022, por do të jetë vendi i 4-t i kuqezinjve që do të hedhë më shumë dritë mbi ecurinë e bisedimeve, të cilat sidoqoftë do të zhvilloheshin vetëm pas përfundimit të kampionatit italian dhe atij spanjoll.