"Na ndihmoi Zoti, u shpërblyem"
Artim Pollozhani e sheh këtë fitore si shpërblim për lojërat e mira në javët e fundit. Kapiteni thekson se klima në ekip është ndër më të mirat dhe çështja e rrogave nuk ndikon assesi kur bëhet fjalë për lojtarë profesionistë. "Mendoj se ishte një shpërblim kjo fitore. Kemi zhvilluar ndeshje mjaft të bukura, por nuk kemi pasur fat. Sot (dje) na ndihmoi edhe pak Zoti. E kemi merituar totalisht këtë fitore. E kemi dominuar Skënderbeun gjatë 90 minutave. Djemtë dhanë maksimumin, i përgëzoj. Ata që ishin në fushë dhanë më të mirën. Sa i përket golit të anuluar të Oto Xhon, më atë moment je i pafuqishëm. Edhe unë mund ta largoja atë top. E dëgjova zërin e Koliçit. Kur e pashë topin që u fut në portë, thashë hyri gol. Më pas na ndihmoi fati. Klima në grup është super. Djemtë punojnë ditë për ditë dhe japin maksimumin. Reflektimi i klimës është kjo ndeshja e sotme. Meritojnë një bravo të madhe. U jemi distancuar gjithmonë pyetjeve për pagesat. Për mendimin tim varet nga karakteri i futbollistëve. Çdo futbollist që është këtu ëndërron për diçka më të mirë. Derisa karakteri dhe grinta do ekzistojë, unë besoj se do jemi në rrugën e duhur. Janë larguar disa futbollistë, por them se këta lijtarë po bëjnë edhe ndeshje më të bukura. A janë problemi ata që u larguan? Jo, Jo. Bushiç edhe Alvesh dhe të gjithë ata që kanë ikur kanë qenë profesionistë, e kanë dashur këtë klub. Mbase është edhe ajo që iu jepet shansi dikujt dhe ata e dëshmojnë në fushë që mund të japin maksimumin", përfundoi 36-vjeçari për "SuperSport".