Çelsi një “mallkim”, Ole kërkon të thyejë tabunë
Përballja më e shpeshtë në Angli, "djajtë" s'fitojnë prej 2002
Thonë se futbolli ësh të ciklik, kështu që nuk duhet të jetë surprizë që Çelsi dhe Mançester Junajtid do të ritakohen sot në raundin e 1/8ave të trofeut më të vjetër të futbollit, duke përsëritur finalen e Kupës FA të sezonit të shkuar. Nga "Stamford Bridge" në "Old Trafford", nga "Wembley" në Moskë, kjo është ndeshja më e luajtur në futbollin anglez këto vitet e fundit. Blutë e Londrës natyrisht që fituan finalen e sezonit të shkuar dhe nuk eliminohen nga "djajtë" në Kupë që prej vitit 2002. Në atë kohë, Ole Gunar Solskjaer kishte ende një pjesë të mirë të karrierës përpara, ndërsa Mauricio Sarri nuk kishte hequr dorë prej shumë kohësh nga profesioni i bankierit për të drejtuar Sansovinon, klub në kategorinë e katërt në Itali. Ndërsa të dy do të shtrëngojnë duart në "Stamford Bridge" sot, dikush mund të mendojë se çfarë do të ndodhë me njërin në fund të sezonit dhe nëse tjetri do të arrijë që të jetë aty deri atëherë.
STATISTIKAT - Çelsi mund të bëhet skuadra e parë që eliminon Mançester Junajtid gjatë 5 përplasjeve të fundit në këtë kompeticion. Ata do të takohen në Kupën FA për herë të pestë në gjashtë vite. Blutë e Londrës kanë fituar 1-0 në tri përballjet e fundit pas një barazimi 2-2 në "Old Trafford" në 2013. "Djajtë e kuq" kanë fituar vetëm 2 nga 22 transfertat e fundit në "Stamford Bridge", duke dështuar të fitojnë në 9 të fundit. Kjo do të jetë përballja e 64-ët në më pak se 22 vite mes këtyre klubeve, duke e bërë atë ndeshjen më të luajtur në Angli që prej sezonit 1997-98. Kampionët në fuqi të Çelsit do kërkojnë të kualifikohen në çerekfinale për herë të katërt radhazi. Ata kanë shkuar në dy finalet e fundit. Ndërsa Mançester Junajtid do të përpiqet të barazojë rekordin e 13 titujve të Arsenalit në Kupën FA dhe do ta kërkojë çerekfinalen për të pestin sezon radhazi. Hera e fundit që e kanë arritur diçka të tillë ka qenë viti i largët 1966.