Calja, Calja, kampion kampion me… me… këste këste
Sportisti kuqezi shpërblehet pjesë-pjesë për arritjen historike
Javën e ardhshme peshëngritja shqiptare do të ngrejë siparin me aktivitetin e parë për vitin 2019, pasi më 28 shkurt do të zhvillohet Kupa e Shqipërisë për të rritur. Në prag të këtij eventi, gazeta "Panorama Sport" kontaktoi kampion e trefishtë të Europës, në sportin e shtangës, Briken Calen. Peshëngritësi i suksesshëm kuqezi rrëfen formën e tij sportive, si dhe objektivat e këtij sezoni. Gjithashtu, Calja thekson faktin se ende nuk është shpërblyer plotësisht për medaljet e fituara në Europian, por është paguar me këste, ku ka marrë vetëm 24 mln lekë të vjetër në dy këste, nga 36 që i takojnë gjithsej.
Si është forma juaj sportive në këto momente?
Momentalisht gëzoj një formë jashtëzakonisht të mirë dhe po vazhdoj me përgatitjet e fizike, ku pas 6 javësh më pret një aktivitet shumë i rëndësishëm si Kampionati Europian. Tashmë, jam ende te pjesa e ngarkesës së rëndë fizike, ndonëse jemi në prag të Kupës së Shqipërisë.
Çfarë objektivash keni në Kupën e Shqipërisë?
Sigurisht që unë do të futem në garë për të dhënë më të mirën time, ashtu siç do të futen edhe peshëngritësit e tjerë. Do të kërkoj që të përmirësoj rezultatet e mia dhe do ta vlerësoj maksimalisht këtë kompeticion.
Tashmë po bëhet afërsisht një vit nga dita kur ju u shpallët kampion i trefishtë Europe. A e keni marrë shpërblimin e plotë që parashikon ligji?
Siç e dini, mua ma ndan me tri këste këtë shpërblim. Është hera e parë që shpërblimi jepet në këtë mënyrë, ndërkohë që më parë i kam marrë brenda ditës. Nuk është aspak normale dhe ta mendosh kur më ndodh mua një situatë e tillë që jam kampion Europe, imagjino se çfarë mund të bëhet me sportistët e tjerë të zakonshëm. Ky është fundi i sportit. Deri tani kam marrë dy këste dhe kjo është paradoksale.
Sa e vështirë bëhet për ju që të përgatisni garat e ardhshme në këto kushte?
Tashmë janë bërë plot 11 muaj nga kampionati europian i Bukureshtit. Është një kalvar i gjatë, plot stres që sigurisht të pengon që të japësh rezultatet më të mira. E megjithatë, unë jam munduar që t'ia dal, edhe pse problematikat janë të shumë mëdha.
Cilat janë synimet tuaja për në Kampionatin Europian?
Shpresoj të jap rezultatin tim më të mirë dhe pse jo të në ngjitem në podium. Paraprakisht kanë dalë deklarimet dhe jam në vend të parë në dygarësh. Me mbështetjen e njerëzve të mi, si dhe të federatës, kam shumë besim që do t'ia dal me sukses.