Panorama Sport (Albania)

Goli i parë në Shqipëri, Zeqja zbulon Vllazninë

Lojtari: Kam punuar me Likën te Luftëtari, ndihem mirë

- ADMIR URUÇI

Vllaznia ka nisur dje përgatitje­t për takimin me rivalen historike, skuadrën e Dinamos. Por, këtë herë të dyja ekipet janë në Kategorinë e Parë dhe nuk luftojnë për titullin kampion, por vetëm për t'u ngjitur në elitë. Kjo seancë e parë stërvitore ka nisur mes optimizmit nga ana e kuqebluve, të cilët duket se i janë afruar ndjeshëm objektivit që kanë për të kaluar në Superiore. Këtë optimizëm e ka shtuar më tepër edhe rezultati i përballjes së të dielës mes Besëlidhje­s e Erzenit, ku skuadra mike është frenuar në Lezhë. Një nga lojtarët që duket se e ka shijuar më shumë fitoren e skuadrës shkodrane në atë sfidë tejet të vështirë në Peshkopi është edhe vlonjati i Vllaznisë, Valdo Zeqja. Ky i fundit shënoi golin e vetëm dhe të fitores për kuqeblutë në transfertë­n e Dibrës.

Ndeshjen e fundit ndaj Korabit fitorja erdhi nga ju, ku keni shënuar golin e fitores, i cili me sa duket ishte edhe goli i parë i juaji?

Në fakt, ky është goli im i parë në Shqipëri. Kam luajtur edhe në Kosovë dhe kam shënuar edhe aty një gol. Megjithatë, jam i lumtur që fituam një ndeshje shumë të fortë sepse Korabi është një nga skuadrat që na ka hapur shumë punë. Një gëzim më vete, pasi ishte gol me vlera 3-pikësh.

Me këtë fitore tuajën dhe me barazimin e Erzenit rruga drejt Superiores është e sigurt?

Mendoj se jemi në rrugë të mbarë. Megjithatë, është shpejt që të bësh llogari. Ne duhet që ta sigurojmë ngjitjen matematiki­sht shumë shpejt. Prandaj duhet që të fitojmë të paktën të gjitha ndeshjet e pjesës së parë të fazës së tretë. Ndoshta aty do të bëjmë llogaritë, pasi formula e garës si të thuash ka rifutur në lojë edhe ekipet e tjera. Por, mendoj se jemi në rrugën e duhur.

Si është atmosfera në Shkodër?

Në fakt, ndonëse skuadra është drejt ngjitjes dhe rikthimit në elitë, ende nuk e besojnë se luajmë në Kategorinë e Parë. Por, është një qytet me shumë kulturë dhe jeton me futbollin. Në këtë aspekt jam shumë komod.

Kategoria e Parë ka vështirësi­të e veta, si ju është dukur deri tani?

Me të vërtetë ka shumë vështirësi. Vllaznia ka në gjirin e saj shumë lojtarë që luajnë taktikisht, ndërsa ka disa fusha apo skuadra që nuk të lënë të luash. Unë e njoh këtë kategori sepse kam luajtur edhe më parë. Megjithatë, fakti që ne jemi në krye me meritë tregon se kemi punuar mirë.

Zeqaj, një eksperienc­ë e re te Vllaznia, lë Superioren për të kontribuar në rikthimin e shkodranëv­e në elitë?

Është e vërtetë, në fakt unë kam luajtur edhe më parë në Superiore. Jam në kulmin e karrierës dhe duke qenë se kisha punuar me trajnerin Hasan Lika në Gjirokastë­r, mendova që të vij te Vllaznia. Pastaj dihet se kush janë shkodranët në futbollin shqiptar. Kam bërë zgjedhjen e duhur. Ia vlen që të luash për Vllazninë kudo që të jetë. Shkodra është djepi i futbollit shqiptar, kam ardhur me synimin që të luaj dhe të jap kontributi­n tim maksimal që skuadra të rikthehet në elitën e futbollit. Momentalis­ht asnjë nuk e do Vllazninë në këtë kategori, por ne po punojmë të gjithë që ta rikthejmë aty ku e ka vendin.

 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania