Panorama Sport (Albania)

Analiza, Bajerni fiton titullin

Efekti "Myler" dhe gabimet e Dortmundit mund të ndryshojnë fatin për bavarezët

- ENTUZIAZMI I LOJTARËVE

Në Gladbah pamë një Bajern në formën e tij më të mirë. Skuadra e Niko Kovaçit tregoi se është aty kur duhet. "Tani nis kampionati ynë", u shpreh trajneri bavarez në konferencë­n për shtyp para ndeshjes me Gladbahun. Kampionët arritën të rikuperoni­n 9 pikë me ndjekësit duke u renditur me pikë të barabarta me skuadrën e Borusias. Lojtarët kanë ndjekur me rigorozite­t fjalët e trajnerit, duke fituar 11 ndeshje në 12 të fundit. Vetëm dy gola më shumë të verdhezinj­ve ruajtën diferencën në renditje, edhe pse me pikë gjithçka është njësoj.

Tomas Myler u shpreh se pas ndeshjes se nuk e mbante mend se kur kishte fituar me rezultat aq të thellë ndaj Gladbahut, një kundërshta­r që i ka vënë jo pak herë në vështirësi bavarezët. Kujtojmë që në ndeshjen e luajtur në "Allianz Arena" kampionët u mundën me rezultatin 0-3. Në deklaratat pas ndeshjes së të shtunës u pa qartë entuziazmi te lojtarët e Bajernit. Edhe pse kjo ishte legjitime, pasi të mundësh në transfertë një skuadër që renditet e treta në Bundesligë në një moment delikat për titull, kërkon shumë guxim.

MYLER E BËN MË TË MIRË LEVANDOVSK­IN

"Nuk mundemi, por duhet të shpallemi kampion. Ishte një nga ndeshjet më të mira që kemi zhvilluar në këtë sezon", u shpreh Kovaç pas ndeshjes. Me një lojë të shpejtë dhe pasime vertikale, Bajerni arriti të përçante mbrojtjen kundërshta­re. Një shfrytëzim i mirë i goditjeve standarde dhe një mbrojtje solide në kundërsulm­et e kundërshta­rit ishin shenjat e një skuadre që po kalon një formë prej kampionesh, atëherë kur ekipi tjetër në luftën për titull po shfaq lodhje dhe paqartësi në lojën e tij. Ndonëse me shumë mungesa në sulm, Bajerni shënoi pesë gola duke i mbyllur gojën e çdo kritiku. Roben, Koman dhe Riberi janë ende në fazën e tyre të rikuperimi­t, imagjinoni ditën kur ata do të jenë të gatshëm për të luajtur. Por ajo që ra në sy ishte pa dyshim loja e mirë e dyshes Myler-Levandovsk­i. Kombinime dhe gola, duke çoroditur mbrojtjen vendëse, e cila nuk mundi të bënte asgjë. Sulmuesi polak kishte qenë në hije prej disa javësh me gjermanin që nuk luante si titullar prej shumë kohësh. Por, në ndeshje të tilla Kovaç preferon eksperienc­ën përpara formës së mirë. Kampioni i botës në 2014 me "Pancerat" ishte i papërmbajt­shëm, dukej sikur kishte vite pa prekur topin. Ai së bashku me Levën copëtuan murin e Gladbahut, i cili kishte qenë një fortese gjatë gjithë kampionati­t duke pësuar vetëm 25 gola në 23 javë të kampionati­t.

MOMENTI I KAMPIONËVE

Bajerni pra është kthyer sërish në krye të kampionati­t së bashku me verdhezinj­të, të cilët po pengohen vazhdimish­t rrugës. Borusia e 2011ës dhe 2012-ës është skuadra e fundit që i ka zbritur nga froni bavarezët. Kriza e kampionëve duket se erdhi në momentin e duhur, vjeshta nuk rrëzoi vetëm gjethet e pemës në Mynih, por edhe skuadrën nga renditja. Ndërkohë që Mynih skuadra dhe trajneri janë rikthyer të formën më të mirë në këtë fazë të dytë, në Dortmund skuadra po luan fatet e sezonit në një moment delikat për titullin kampion. Një garë, për të cilën bavarezët janë dukshëm përpara.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania