Panorama Sport (Albania)

Një krutan i jep zemër Kastriotit

- Bujar Balliu

Sokol Neziri është njëri nga futbollist­ët “puro” krutanë dhe të paktët vendës që janë pjesë e Kastriotit. Mbrojtësi i djathtë nuk e ka tradhtuar kurrë Kastriotin, pasi ka qenë pjesë e kësaj skuadre që nga moshat e deri më sot, që është 22 vjeç. Në një prononcim për “Panorama Sport”, mbrojtësi flet për nisjen pozitive të 2019-ës, ndeshjen e radhës dhe synimet e krutanëve. “E kemi nisur 2019-ën mjaft mirë dhe jemi ekipi më në formë i momentit. Kjo, falë punës së trajnerit Devolli dhe presidenti­t Vogli, që na ka qëndruar pranë në çdo moment. Shpresojmë që këtë ecuri të mirë ta kemi edhe në vazhdimësi, duke filluar që nga sfida e radhës me Tiranën, skuadër me të cilën nuk kemi pasur shumë fat, pasi me këtë kundërshta­r kemi humbur si në finalen e Kategorisë së Parë, por edhe në dy ndeshjet që jemi përballur në Superiore. Megjithatë, për ndeshjen e radhës kemi punuar shumë dhe do vijojmë të punojmë, pasi nuk duhet të përsërisim më gabimet e së shkuarës, ndaj, besoj se do të jetë ndryshe. Do futemi në fushë me synime të qarta dhe do të japim më të mirën. Nëse do bëjmë këtë, do dalim fitimtarë nga kjo përballje dhe për këtë jam i sigurt”, deklaroi fillimisht Neziri. Më tej mbrojtësi foli edhe për dënimin e Kamzës dhe pikët që përfiton Luftëtari në tavolinë. “Për ekipin e Kamzës më vjen shumë keq, gjithashtu edhe për futbollist­ët, të cilët nuk e meritojnë këtë që u ndodhi. Sa për Luftëtarin, le t’i fitojë të gjitha pikët në tavolinë, pasi në fund Kastrioti do të qëndrojë në Superiore. Unë besoj shumë te grupi që ne kemi. Mbijetesa do të jetë trofeu ynë më i madh këtë sezon”, përfundoi Neziri.

 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania