Hasanbelliu, i lumtur: Do fillojë diçka e re
Presidentët e klubeve të Superiores kanë mbetur të kënaqur nga takimi dhe diskutimi i djeshëm për futbollin i organizuar nga Federata Shqiptare e Futbollit dhe kryeministria. Në këtë takim është diskutuar në lidhje me dhunën dhe për një paketë që pritet të hartohet në vazhdim, ku klubet të formalizohen dhe presidentët të lehtësohen për sa u përket taksave të ndryshme. Presidenti i Teutës, Edmond Hasanbelliu, i cili është një prej më të vjetërve në futbollin shqiptar, ka mbetur i kënaqur nga kjo iniciativë dhe ka shumë besim se në vazhdim, futbolli do të kthehet në biznes. DEKLARATA
Pas takimit, në një reagim për mediat, kreu i klubit durrsak u shpreh: "E mora klubin duke mos e ditur se do të kishim këto harxhime të konsiderueshme. Menduam se do të ishte frytdhënës dhe do të merrnim diçka mbrapsht, por nuk ka ndodhur kështu. Besoj se tani do fillojë një gjë e tillë. Kemi fat ne që kryeministri e njeh sportin dhe investimet që bëhen në futboll. Dhe do jetë shumë pozitive dalja e tij së bashku në këtë takim", tha fillimisht Hasanbelliu. Më pas, i pyetur nëse mendon se futbolli mund të kthehet në biznes në Shqipëri, presidenti i Teutës u përgjigj: "Sigurisht, mendoj se futbolli mund të kthehet në biznes. Ne si klubi i Teutës jemi duke i zvogëluar harxhimet dhe besoj se shpejt do të shkojmë drejt barazisë. Më pas sigurisht që do të ketë edhe përfitime". Ndërkaq, një prej çështjeve që u diskutuan dje ishte edhe ajo e aseteve, për të cilat Hasanbelliu tha: "Një prej çështjeve që u diskutua ishin edhe asetet. Ne i kemi shumë të rëndësishme ato. Do t'i marrim me koncesion pse me një mënyrë tjetër, të paguajmë para dhe më pas t'i menaxhojmë".