Guardiola: Jemi adoleshentë në Champions, s'e ndiejmë presionin
Skuadra e Pep Guardiolës duhet të bëjë vetëm formalitetin sot ndaj Shalkes në "Etihad" për të prerë biletën në çerekfinalet e Champions-it. E megjithatë, trajneri i Mançester Sitit bën thirrje për kujdes në një kompeticion të pabesë siç është Liga e Kampioneve edhe pas fitores 3-2 në Gjermani. "Shumë gjëra mund të ndodhin në 90 minuta në këtë lloj kompeticioni. Në ndeshjen e parë ne ishim goxha me fat, sepse luajtëm për 20-25 minuta me 10 vetë, me rezultatin 2-1. Në rrethana normale, mund të ishim eliminuar nga kompeticioni, por ne ishim me fat. Ne kemi tendencën që kur shohim shortin themi se cila skuadër do kualifikohet dhe pas ndeshjes së parë të gjithë e dinë se kush do ta fitojë të dytën. Një javë më parë, ne nuk e prisnim atë që ndodhi. Çdo ndeshje është tërësisht e ndryshme. Gjithçka mund të ndodhë në këtë kompeticion. Ne duhet të bëjmë përpjekje të pabesueshme në situata epike për t'u kualifikuar. Ajo që ndodhi në ndeshjen e parë mund të ndodhë edhe në të dytën. Do përpiqemi të luajmë ndeshjen perfekte dhe të bëjmë atë që duhet të bëjmë për t'u kualifikuar. Preferoj këtë rezultat sesa atë në 'Anfield' (sezonin e shkuar, humbën 3-0)". Por a mund të jetë ky viti i "qytetarëve" edhe në Europë? "Ne jemi adoleshentë në këtë kompeticion. Kështu ndihem unë. Duhet të ëndërrosh sa më larg që të jetë e mundur, por në të njëjtën kohë të pranosh faktin se ka ekipe të tjera që mendojnë njësoj. Ne nuk mund ta mohojmë sesa të forta ato janë. Unë nuk e ndiej presionin për ta fituar. Presioni është të bësh një punë më të mirë, të rivalizosh më mirë në gjysmëfinale dhe çerekfinale dhe të përmirësosh gabimet e së shkuarës. Ky është një kompeticion që t'i ndëshkon shumë gabimet, për shkak të cilësisë së kundërshtarëve. Shalke bëri dy goditje në kuadrat dhe shënoi dy gola në ndeshjen e vajtjes. Ne mund të ishim kthyer me humbjen 3-1 ose 4-1".