Valverde: Të “mësojmë” nga Reali
"Duhet të jemi vigjilentë dhe të shfrytëzojmë në maksimum rastet që do krijojmë"
Trajneri i Barcelonës, Ernesto Valverde, ka folur në konferencën për shtyp para ndeshjes me Lionin në "Kamp Nou". Spanjolli i druhet nënvlerësimit dhe kërkon përqendrim maksimal nga skuadra e tij në sfidën ndaj francezëve.
LIONI
"Nuk e di nëse do të luajnë si në ndeshjen e parë. Ata kanë lojtarë të shpejtë në sulm dhe do të kërkojnë ta shfrytëzojnë këtë. Francezët e dinë rëndësinë që ka një gol i shënuar në transfertë dhe do ta kërkojnë atë me patjetër. Presioni bie mbi ne. Jemi një skuadër e madhe që di të reagojë në situata të tilla. Nuk ishte e lehtë për ne në ndeshjen e parë. Të mos harrojmë që Mesi u markua nga 10 lojtarë duke ia vështirësuar atij ndeshjen. Por nesër(sot) do të jetë një tjetër histori." .
DEMBELE
"Do të shohim si do të shkojnë gjërat dhe më pas do të vendosim. Është një ndeshje delikate dhe nuk duam të rrezikojmë. Kur Dembele nuk ka qenë në takimet e tjera, e kemi gjetur një zëvendësues për atë ashtu sikur ka qenë mungesa e Mesit, të cilën e kemi menaxhuar shumë mirë në disa ndeshje".
REAGIMI
"Jemi një skuadër që varet vetëm nga rezultatet. Nesër (sot)do të fokusohemi vetëm te 90 minutat. Gjithçka mund të ndodhë. Jemi gati për të zhvilluar një sfidë të mirë dhe për të vënë në presion kundërshtarin".
KUALIFIKIMI I KOMPLIKUAR
"Mënyra se si PSG dhe Reali u eliminuan, është një tregues i rëndësishëm për ne. Ai na tregon se duhet të jemi shumë vigjilentë për të mos lejuar të na ndodhë e njëjta gjë. Duhet të shfrytëzojmë mirë rastet që na jepen në ndeshje".
ZIDAN
"Ai është një trajner i madh. Ka fituar shumë me Realin. Do të ndeshemi me të në sezonin e ardhshëm".
"KAMP NOU"
"Tifozët do të jenë pranë nesh për të na mbështetur. Do të mundohemi t'ua shpërblejmë atyre. Objektivi ynë është të kalojmë në fazën tjetër dhe jam i bindur që me një stadium të tejmbushur gjithçka do të jetë më e lehtë".