Egnatia nuk njeh pushime, Pasha i jep fitoren ndaj Luzit
Rrogozhinasit shfrytëzojnë javën e pauzës, miqësore me kavajasit
Egnatia nuk heq dorë nga testet miqësore dhe këtë pauzë që i ka rezervuar kalendari është duke e shfrytëzuar maksimalisht. Pas arritjes së dakordësisë me drejtuesit e fqinjëve të Luzit 2008, u vendos të luhej një miqësore dje në Kavajë. E veçanta e duelit ishte se kishte shumë ish-ë në përbërje te të dyja kampet. Ndeshja u fitua nga Egnatia 1-0 me golin e Pashës në minutën e fundit. Për këtë miqësore, trajneri Sinella pothuajse kishte hedhur në fushë nga minuta e parë po të njëjtët titullarë si ndaj Kombëtares U-20. Ndërsa në të dyja pjesët u aktivizuan të gjithë lojtarët që ishin në dispozicion dhe që zëvendësuan në çdo repart shokët e tyre. Gjithashtu, ra në sy grumbullimi për herë të parë edhe hapësira që iu rezervua portierit të ri rrogozhinas që vjen nga moshat e klubit, Mateo Memolla. Gjithçka në fund përfundoi me fitoren e Egnatias në shifrat 0-1 me golin e Pashës në limitet e kohës së rregullt, pavarësisht se të dyja skuadrat në të dyja pjesët e kërkuan me ngulm golin që vonoi disi. Rrjeta e durrsakut që shënoi për herë të parë me fanellën jeshile erdhi pas shumë rastesh të njëpasnjëshme që u humbën nga Branica, Canka, Dimo e ndonjë tjetër. Duhet theksuar se ishte përvoja e loja në grup e të besuarve të Sinellës ajo që solli dhe fitoren e vuajtur deri në finish. Por, nuk mbeti pas as skuadra kompakte e trajnerit peqinas Pashja me shumë emra që kanë spikatur kudo me cilësitë e tyre që mund ta ndihmojnë Luzin të sigurojë me patjetër ngjitjen në Kategorinë e Parë në fund të sezonit futbollistik.