Takaj bind Dajën për stolin, zbulohen dy blerjet
Klubi, akord me mesfushorin Jelisiç dhe sulmuesin Stankov
Ilir Daja mund të jetë trajneri i ri i Skënder beut. Pas vendimit të Takajt (në koordinim me FSHF-në) për të qëndruar në Superiore me skuadrën bardhekuqe, pritet që tekniku tiranas të marrë zyrtarisht drejtimin e 8 herë kampionëve të Shqipërisë. Në fund të sezonit ishte pikërisht Daja favoriti për të zëvendësuar Shehin e larguar, por për shkak të vendimit që pritej në KAS, gjërat u zvarritën dhe në fund pati paqartësi totale. Pas kësaj u fut në lojë Kukësi për trajnerin e mirënjohur, pasi donte që të zëvendësonte Gjokën me një tjetër trajner ekspert. Në fund, Daja nuk e arriti marrëveshjen me verilindorët dhe mbeti sërish një trajner i lirë. Ai nuk e ka fshehur asnjëherë simpatinë për Skënderbeun dhe Korçën. U shpall kampion me bardhekuqtë dhe shkoi në fazën e grupeve duke bërë paraqitje të shkëlqyera në Europë, falë edhe një grupi lojtarësh tepër cilësorë. Tani me gjasë nuk do të ketë më aq cilësi në dispozicion, por do të punojë në një qytet ku ndihet i vlerësuar, në një klub të cilit ia njeh mentalitetin dhe mbi të gjitha, do të ketë dorë të lirë të ndërtojë një skuadër sipas ideve të tij. Objektivi nuk do të jetë ndoshta patjetër titulli kampion, por me gjasë Kupat e Europës. Por, në gjendjen e tanishme Skënderbeu edhe nëse i arrin, nuk mund të luajë, por me shpresën se mund të ndodhë mrekullia në Gjykatën Federale të Zvicrës. Deri atëherë, do të ketë kohë të ndërtojë një ekip konkurrues.
Largimet e shumta të lojtarëve kanë sjellë gjendje emergjence në kampin korçar. Gropat e krijuara janë të shumta dhe domosdoshmëria për përforcime është e madhe. Pavarësisht situatës në të cilën ndodhet klubi bardhekuq, duket se vëmendja është e përqendruar edhe në merkato. Drejtuesit e Skënderbeut nuk kërkojnë ta lenë pas dore përformcimin e skuadrës në këtë pikë të rëndësishme për sezonin e ri. Ata po mbajnë në vëzhgim sistematik elementët që mund të kompletojnë skuadrën për sezonin e ri. Merkatoja në klubin bardhekuq është përqendruar kryesisht jashtë vendit, pasi tregu në Shqipëri nuk është se të ofron diçka të rëndësishme. Drejtuesit bardhekuq duket se kanë hedhur piketat e para për dy lojtarë që janë pa kontratë dhe mund të jenë alternativa të rëndësishme për forcimin e ekipit.
MESFUSHA
Duke parë problemet në ndërtimin e lojës në sezonin e kaluar, si dhe largimet e Pervan e të Sibos, të cilët ishin të huazuar te Skënderbeu, korçarët janë duke kërkuar një lojtar që të jetë vendimtar në ndërtimin e lojës së bardhekuqve. Sytë janë të përqendruar në Ballkan, kryesisht te lojtarët që për momentin janë pa kontratë me ndonjë klub tjetër. I tillë është rasti i Nikola Jelisiç, 24-vjeçarit nga Bosnja dhe Hercegovina që mund të jetë organizatori i zgjedhur nga Ardjan Takaj për sezonin e ri. Jelisiç ka luajtur gjithmonë në kategoritë inferiore gjermane dhe luan si një trekuartist. Nga ana e drejtuesve të merkatos, shihet si një element i rëndësishëm për lojtarin e pasit të fundit që i ka munguar ekipit të Takajt që pas largimit të Lilajt nga Skënderbeu.
SULMI
Nëse Krasniqi dhe Oto Xhon kanë konfirmuar qëndrimin e tyre te Skënderbeu, duket se klubi nuk dëshiron që të përjetojë të njëjtën "shterpësi" goli që i përndoqi gjatë gjithë sezonit të kaluar. Për këtë arsye, një tjetër element në sulm do t'i bënte punë ekipit për të rritur cilësinë, por mbi të gjitha rivalitetin në këtë repart. Piketat këtë herë janë hedhur në Maqedoninë e Veriut, atje ku Aleksandar Stankov duket se është sulmuesi i përzgjedhur. Me një karrierë të pasur, Stankov konsiderohet një element i rëndësishëm për Skënderbeun. Ai ka luajtur kryesisht në Danimarkë dhe mund të jetë një lojtar me vlerë për bardhekuqtë. 28-vjeçari ka shënuar 38 gola në 148 ndeshje në karrierën e tij dhe mund të japë më shumë cilësi për sulmin e Skënderbeut. Bisedimet për të dy futbollistët kanë nisur, por drejtuesit e merkatos janë duke i servirur Takajt elementë të ndryshëm mes të cilëve presidenti do të zgjedhë profilin e duhur për ekipin e tij.