Tirana, Mema do “tika-taka”
Ai që gabon, merr si dhuratë ulërimat e njëshit të stolit të 24 herë kampionëve
Tirana do të luajë me stilin “tika-taka”. E ka vendosur Ardian Mema. Ky do të jetë stili i lojës që do të vërë në jetë gjatë sezonit të ri futbollistik. Në të gjitha stërvitjet që Tirana ka zhvilluar në kryeqytet, është vënë re shumë qartë se Mema nuk kërkon topa të gjatë. Qarkullimi i topit, pasat e saktë dhe veprimet pa top në fushën e lojës kërkohen në çdo moment nga trajneri i Tiranës. Madje, për ndonjë gabim të vogël, Mema jo vetëm që mërzitej, por ngrinte zërin në fushën e lojës. Trajneri nuk toleron asnjë gabim, duke kërkuar nga skuadra perfeksion që të luajë me topin në tokë. Dhe të thuash që bardheblutë kanë dy sulmues shtatlartë si Majkëll Ngo dhe Ismael Dunga, të cilët mund të godasin mirë me kokë. Gjithsesi, Mema është i prerë, kërkon “tika-taka” dhe lojë si e Barcelonës për t’u argëtuar në fushë dhe për të fituar sa më shumë ndeshje.
AFRIMET – Trajneri Ardian Mema për këtë filozofi të tij loje ka punuar prej kohësh. Ka afruar futbollistë si Osmani, Kale, Torasa, Dunga, Batha, që sipas tij luajnë mirë me topin dhe së bashku me të tjerët në skuadër arrijnë të vënë në jetë idenë e Ardian Memës. Futbollistët sipas filozofisë së trajnerit bardheblu duhet të qarkullojnë topin në çdo cep të fushës derisa ekipi të shkojë te porta dhe të shënojë golin. Një mënyrë futbolli e vënë në jetë nga Barcelona si fillim dhe më pas implementuar nga skuadra të tjera botërore. Duhet thënë se lojtarët bardheblu, veç dy sulmuesve dhe dy qendërmbrojtësve, janë futbollistë shtatshkurtër dhe të zhdërvjellët në lojërat e ngushta apo përdorimin e topit. Sesa do të implementohet kjo histori, mbetet
për t’u parë. Në këtë moment që flasim, Tirana po e tenton këtë stil loje. Tetë futbollistë ka afruar deri tani ekipi i Tiranës. Ata janë Bakaj, Qirko, Osmani, Kale, Batha, Torasa, Ngo dhe Dunga. Skuadra pret firmën e Kristi Vangjelit, ndërsa Kostandin Karriqi që firmosi në korrik u largua gjatë fazës përgatitore. Sezonin e shkuar
ekipi bardheblu arriti të grumbullonte 47 pikë. Skuadra nuk shkoi më shumë se vendi i shtatë, duke u konsideruar një sezon i dështuar. Tirana është në kërkim të dy lojtarëve “big” për të mbyllur përfundimisht merkaton dhe dëshirat e Ardian Memës. Bardheblutë shumë shpejt do të mbyllin marrëveshjen dhe do të prezantojnë dy lojtarët e fundit të merkatos. Edhe pse emrat nuk tregohen dhe janë sekret, bardheblutë do të bëjnë lëvizjet e fundit në këtë merkato që kanë qenë shumë prodhimtare për ta. Gjasat janë që këtë javë të ketë të reja në këtë drejtim, edhe pse skuadra është pothuajse e plotësuar dhe ka shumë lojtarë në organikë.