Runi rikthehet në Angli, lojtar-trajner te Derbi
Një vit në SHBA i mjaftoi Uejn Runit për të dëshiruar rikthimin e madh në Angli. Edhe një herë tjetër protagonist. Derbi Kaunti zyrtarizoi transferimin e papritur të sulmuesit, të cilit i ofroi një kontratë si lojtar-trajner për 18 muaj në klubin e Championshipit, i drejtuar sezonin e fundit nga Frenk Lampard. Menaxheri i tij, Pol Stretford, mbylli ditën e djeshme detajet e fundit të marrëveshjes, ndërsa lojtari mori avionin dhe u rikthye në ishull për t’u takuar me Mel Morris, pronarin e Derbit. Vullneti i legjendës së Mançester Junajtid për të nisur karrierën e trajnerit nuk është një risi, pavarësisht se ai firmosi me DC Junajtid në SHBA një kontratë 3-vjeçare verën e shkuar. Amerikanët e kanë gjetur zëvendësuesin e 33vjeçarit: ata firmosën me sulmuesin norvegjez Ola Kamara që vjen nga kinezët e Shenzen (2 milionë sterlina). Por Runi do t’i bashkohet klubit të ri nga janari 2020, sepse sezoni në MLS sapo ka nisur. Pak ditë më parë, ishmund talenti i Evertonit shprehu dëshirën që një ditë të ulet në stolin e “Old Trafford”. Çudia është se Lampard, i cili la Derbin për t’u rikthyer në “Stamford Bridge” për të zënë vendin e Mauricio Sarrit, u zëvendësua nga Filip Koku. E gjithë kjo situatë e ka lënë pak të shokuar holandezin: “Për momentin nuk
të them asgjë. Po punojmë për të kompletuar skuadrën”. Runi do të fitojë 100 mijë sterlina në javë. Për t’i shpëtuar “Fair Play-t”, kontrata e tij është sponsorizuar nga kompania e basteve “32Red”. Për këtë arsye, ai do të mbajë numrin 32, duke ngjallur një valë kritikash në Angli.