Barça ia ofron Interit, do 50 mln € për Rakitiç
Kërkesa ekonomike tremb, edhe lojtari s'duket entuziast
Embyllën me sukses për Romelu Lukaun nga Mançester Junajtid, ndërsa sot mund të jetë edhe dita e Edin Xhekos. Drejtuesit e Interit duket se e kanë sistemuar siç duhet repartin e sulmit, por ndërkohë, deri në fund të merkatos do të provohet që të shtohet cilësi edhe në repartin e mesfushës pas largimeve të lojtarëve si Razha Naingolan, por edhe Ivan Perisiç e Zhoao Mario do përshëndesin. Trajneri Antonio Konte ka nevojë edhe për një përforcim të rëndësishëm në repartin që formon "shtyllën kurrizore" të skuadrës dhe të dy emrat që ai ka në kokën e tij, janë pjesë e Barcelonës. I pari është Arturo Vidal, "luftëtari" të cilin Antonio Konte do e donte në çdo "betejë" me vete pas aventurave që të dy kaluan në radhët e Juventusit, por
më shumë sesa kuraja dhe forca e kilianit, trajneri zikaltër ka nevojë për pak më shumë klas, që ia garanton Ivan Rakitiç. Mesfushori kroat tashmë shtyhet nga drejtuesit e klubit që të largohet nga "Camp Nou", por edhe pse ai ishte një ndër më besnikët e trajnerit Ernesto Valverde në dy sezonet e fundit, edhe ky i fundit duket i dorëzuar nga urdhri i prerë që ka marrë nga klubi. Deklarata e postmiqësores me Napolin e konfirmon këtë: "Ivan mund të jetë edhe këtë vit shumë i rëndësishëm për ne, por nuk mund t'iu garantoj me 100 për qind se ai do të qëndrojë me ne. Këtë fakt do ta vulosë vetëm fundi i merkatos". Këto fjalë ishin sinjali i parë i shpresës për Interin, por për më shumë, vetë klubi katalanas i ka ftuar dje zikaltrit që të hapin bisedimet për Ivan Rakitiçin. Barcelona u ka dhënë leje italianëve që të mund të bisedojnë me mesfushorin, i cili ka një kontratë me kuqeblutë deri në vitin 2021, por ndërkohë i kanë bërë të qartë Xhuzepe Marotës me shokë se nuk pranojnë më pak se 50 milionë euro për kartonin e 31-vjeçarit. Kjo shifër, menjëherë përbën një ngërç të madh për tratativën, gjithmonë nëse do të vonojnë që të vijnë 5 milionët e Bajernit për huazimin e Perisiçit, por pse jo edhe 20-25 nga shitja e mundshme e Zhoao Marios. Sigurisht që tratativën mund ta zhbllokonte menjëherë një shitje e shpejtë e Mauro Ikardit, por nga ana tjetër, ajo që mban me frena dore Interin duket se është edhe dëshira e paktë e vetë Rakitiçit për t'u larguar nga Barcelona. Lojtari kërkon që të luajë shanset e veta me kuqeblutë, edhe pse ai e di mirë se sezonin e ardhshëm do ta nisë thjesht si një rezervë luksi.